Shpërthimet e bombolave të gazit, ekspertët paralajmërojnë pak sekonda mund të jenë vendimtare

Ngjarje si shpërthimi i fundit në një biznes në Lezhë, që u shkatërrua pothuajse plotësisht nga rrjedhja e gazit, nuk konsiderohen raste të izoluara, duke rikthyer vëmendjen te rreziku që mbart përdorimi i bombolave të gazit në banesa dhe biznese.

Sipas ekspertëve, gazi i lëngshëm për ngrohje dhe gatim mbetet një nga burimet më të rrezikshme të zjarreve, pasi në rast rrjedhjeje situata mund të përshkallëzohet brenda pak sekondash, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe rrezik për jetën e njerëzve. Për këtë arsye, respektimi i rregullave të sigurisë është thelbësor për të shmangur aksidentet.

Eksperti i fushës, Shkëlqim Goxhaj, thekson se përdorimi i bombolave të sigurta është hapi i parë për parandalimin e incidenteve. Ai këshillon që bombolat të mos rimbushen në mënyrë të pakontrolluar, veçanërisht në stacione të autogazit që janë të destinuara për automjete, si dhe të shmanget përdorimi i bombolave të vogla të tipit kamping, të cilat nuk ofrojnë siguri të mjaftueshme. Sipas tij, këto bombola duhet të mbahen në ambiente të jashtme, si ballkone, dhe jo brenda hapësirave të mbyllura.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në rastet e bizneseve, ekspertët rekomandojnë që depozitat e gazit të instalohen jashtë godinave dhe në distancë të sigurt nga ambientet e punës. Gjithashtu, ajrosja e ambienteve çdo ditë përpara fillimit të aktivitetit është një masë e rëndësishme sigurie, duke shmangur çdo burim ndezjeje në momentin e hapjes së punës.

Swiss Digital Mobile Reklama

Nëse konstatohet një rrjedhje gazi, qytetarët këshillohen të hapin menjëherë dritaret për ajrosje dhe të njoftojnë shërbimet e emergjencës. Për më tepër, përdorimi i detektorëve të gazit mund të ndihmojë në identifikimin e hershëm të rrjedhjeve dhe parandalimin e fatkeqësive.

Megjithëse rreziku mbetet i pranishëm, specialistët vërejnë se në vitet e fundit është rritur ndërgjegjësimi i qytetarëve për përdorimin më të sigurt të gazit, duke sjellë një ulje të incidenteve të lidhura me të si në banesa ashtu edhe në biznese.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?