Shpërthimi në Vlorë, asnjë i shoqëruar
Policia e Vlorës ende nuk ka të shoqëruar apo të arrestuar për shpërthimin që ndodhi të premten mbasdite, në një apartament në lagjen “1 Maji” të qytetit.
Të vetmit që janë marrë në pyetje janë banorët e pallatit, të cilët ishin dëshmitarë në momentin kur ndodhi ngjarja. Teuta Petriti ndodhej në shtëpinë e marrë me qira në momentin e shpërthimit, por nuk u lëndua. Dëme të shumta materiale pati në ballkonin e saj dhe në hyrjet e tjera të pallatit.
Në zonë mungojnë kamerat e sigurisë dhe kjo i ka vështirësuar punën policisë për të identifikuar autorin e vendosjes së lëndës plasëse në banesën ku banonte e veja e peshkatarit Hyqmet Nexhipi. Ky i fundit u vra dy vite më parë në rrugën Transballkanike të Vlorës.
Ai u gjet i pajetë në nje automjet tip Hyundai dhe krimi ende nuk është zbardhur nga policia. Shkaqet e ngjarjes së të premtes mbeten të paqarta por policia po heton nëse shpërthimi në banesën e Teuta Petritit ka lidhje me ekzekutimin e bashkëshortit të saj.
KOHA JONË SONDAZH

