Shpërthimi tek “Don Bosko”, 17 vetë lënë spitalin, 1 në gjendje të rëndë

Nga të plagosurit e shpërthimit të bombulës së gazit, ngjarje që ndodhi të dielën tek rruga “Don Bosko”, 17 prej tyre kanë lënë spitalin, pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore.

Nga 26 personat e paraqitur në Spitalin e Traumës, sipas mjekëve, vetëm  50-vjeçari Kujtim Cani është në rrezik për jetën, pasi ka dëmtime në kokë dhe në pjesën e qafës. Të tjerët u dërguan në Spitalin e Traumës dhe 5-së persona u kuruan në repartin e djegieve. Mësohet se 9 prej personave të paraqitur në qendrën mjekësore nuk janë shtruar në spital, por thjesht kanë kryer kontrolle sigurie.

Gjatë mbrëmjes së djeshme, në Spitalin e Traumës është paraqitur dhe vetë Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Ai ka vizituar të plagosurit, teksa ka biseduar dhe me mjekeët për gjendjen e tyre.

Policia nga krahu tjetër ende nuk ka dhënë një version zyrtar të ngjarjes, por burime nga blutë e Tiranës sqarojnë se shpërthimi ka ardhur si pasojë e rrjedhjes që ka pasur njëra prej bombulave 15 litërshe të gazit, që ndodhej tek ëmbëltorja. Sipas burimeve policore, tek njëra nga bombulat ka pasur rrjedhje në tubin që lidh bombolën me furrën e pjekjes.  Mendohet se një pakujdesi e vogël e njërit prej personave që ka qenë pranë të ketë shkaktuar këtë ngjarje të rëndë.

Vendosja e bombolave pa asnjë lloj kujdesi dhe mungesa e sigurisë ka sjellë pasoja të tilla. Burime nga policia thonë se biznesi privat menaxhohej nga Abullah Dervishi dhe gruaja e tij, Paqësie Dervishi, të cilët u plagosën bashkë me vajzën dhe djalin. Përveç personave që ndodheshin pranë ëmbëltores, u plagosën edhe ata që kalonin në anën tjetër të trotuarit, ndërsa shpërthimi ka shkaktuar lëkundje në të gjithë lagjen

SHKARKO APP