Shpëtim Idrizi: Pika vendimtare e marrëveshjes me PD, zgjidhja juridike e çështjes Çame
Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi ka prezantuar kandidatët për deputetë në qarqet Durrës, Vlorë dhe Fier. Ndalesa e parë e Idrizit ishte qyteti i Vlorës, ku i shoqëruar nga kreu i degës së PDIU, Besmir Brahimi, prezantoi kandidatin për deputet, Gëzim Ademaj.
“Ne jemi të gjithë Nën Një Flamur për t’u bërë pjesë e ndryshimit më 25 prill. Asnjë individ nuk mund ta bëjë ÇAMËRINË MAVI!”, u shpreh Idrizi, duke kërkuar maksimalizimin e votave për përfaqësuesin e komunitetit Çam në qarkun e Vlorës, Gëzim Ademaj.
Nga Vlora, Idrizi i ktheu përgjigje akuzave të kryeministrit Edi Rama lidhur me përfaqësimin e çamëve, duke shtuar se kreu i qeverisë braktisi dhe la në harresë komunitetin çam, ndërsa solli në vëmendje mungesën e investimeve në lagjet e Vlorës ku banojnë çamët.
Kjo situatë, tha Idrizi, do të ndryshojë pas 25 prillit, kur do të marrë fund edhe diskriminimi i komunitetit çam, por edhe qytetarëve të tjerë të cilët jetojnë në kushte të vështira ekonomike.
Kreu i PDIU duke folur për marrëveshjen e koalicionit me PD, theksoi se pika më e rëndësishme e këtij pakti është zgjidhja juridike e çështjes Çame.
“Pika më e rëndësishme e marrëveshjes me Partinë Demokratike është pikërisht zgjidhja juridike e Çështjes Çame. Kjo çështje do t’i bëjë mirë politikës shqiptare, institucioneve të shtetit shqiptar, sepse pretendimet e Greqisë, nuk mbarojnë as me varrezat, as me 12 miljet, as me ligjin për minoritetet, as me censusin e ardhshëm”, deklaroi Idrizi.
Pas Vlorës, ndalesa e radhës e kryetarit të PDIU, Shpëtim Idrizi ishte Fieri, ku prezantoi kandidatin për deputet, Nustret Avdullai.
Kreu i PDIU dha gjithashtu garanci se pas 25 prillit mandatet e forcës politike që ai kryeson nuk do të bëhen “patericë” për të mbajtur Edi Ramën në pushtet.
Gjatë takimit, Idrizi u shpreh se dinjiteti dhe qytetaria fierake do të dalin në mbrojtje të kauzës Çame, një detyrim madhor kombëtar , sipas tij, i nëpërkëmbur nga idiotët e dobishëm të Athinës në Tiranë.
Ai theksoi se pjesë e rëndësishme e programit elektoral të PDIU-së është edhe forcimi ekonomik përmes bashkimit ekonomik me Kosovën, një ekonomie që prodhon dhe mbrojtjes së produkteve shqiptare.
“Ne jemi partia që aspiron për bashkim kombëtar, tashmë jo si retorikë, sepse ne mendojmë që Shqipëria ka nevojë që me Kosovën të ketë “commonëealth” ekonomik të shqiptarëve dhe jo atë lojën e Vuçiç me Ramën, por për të bërë Schengenin kuqezi, për të krijuar një treg prej 5 mln shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës”. “Ne do heqim traun aty që i është vendosur shqiptarëve”, shtoi ndër të tjera Idrizi.
Takim me strukturat dhe mbështetës të PDIU, Shpëtim Idrizi zhvilloi edhe në Durrës ku prezantoi kandidatin Florian Tahiri.
Idrizi u shpreh i bindur se më 25 prill komuniteti çam dhe qytetarët e Durrësit do të mbështesin kandidatin e PDIU-së, Florian Tahiri.
“Sot nuk ka shqiptar që të mos ndihet i fyer kur kryeministri në ikje kërkon ta heqë Çamërinë nga librat e historisë dhe ta barazojë atë me termin Vorio-Epir, siç e kërkon pala greke. PDIU-ja është zëri i çështjes Çame, ndaj ka ardhur koha që shqiptarët e Çamërisë të marrin në dorë fatet e tyre, duke u bashkuar të gjithë rreth PDIU-së dhe kauzës që ajo përfaqëson.
Më 25 prill Shqipëria voton për t’iu kthyer dinjitetin qytetarëve, për punësim dhe zhvillim ekonomik”, deklaroi Idrizi.