Shpëtimi i shqiptarëve nga ”kampi i ferrit”, delegacioni shqiptar në Siri
Drama në kampin Al-Hawl në Siri është e madhe. Fëmijë të vetmuar, grupe familjesh pa baba, frikë dhe shumë trishtim. ”Nëse ndonjë nga këto shtete, do të kërkonte të tërhiqte shtetasit e tyre do të duhej që ministritë e Punëve të Jashtme të kontaktojnë me administruesit e kampit dhe të koordinoheshin me ta për të riatdhesuar këdo”,- kështu shprehen në kampin Al-Hawl në Siri. Në ”kampin e ferrit”, mendohet se janë 80 shqiptarë të burgosur, mes tyre 50 gra dhe fëmijë e që sytë i kanë nga shteti, pasi situata aty është shumë kritike për jetën e tyre. Disa prej tyre kanë lindur në Siri.
Një delegacioni zyrtar nga Republika e Shqipërisë ka nisur një vizitë zyrtare në Sirinë verilindore me fokus riatdhesimin e shtetasve shqiptarë. Pjesë e delegacionit është drejtori i Antiterrorit, Gledis Nano dhe shefi Operacioneve Speciale Antiterrorizëm në policinë e shtetit Indrit Doda. Në delegacion është edhe konsulli i nderit të Shqipërisë në Liban, Mark Gharib. Strukturat e Antiterrorit kanë 1 muaj që qëndrojnë në Liban për të bërë të mundur kthimin e nënave dhe fëmijëve shqiptarë të mbetur në kampin e ferrit. Më herët, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ishte në Liban ku zhvilloi takime me zyrtarë të sigurisë, në kuadër të përpjekjeve të Shqipërisë për të kthyer shtetasit e saj të mbetur në Siri në kampin Al-Hawl. Por nuk ka informacione se çfarë arriti në këto takime ministri. A ishte një vizitë nën trysninë e protestave dhe lajmeve në vënd, apo me të vërtetë qeveria po punon për riatdhesimin e shqiptarëve që janë në kampin e ferrit.
Shqipëria ka nënshkruar disa konventa europiane për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, por edhe në këtë rast bëhet i dukshëm problemi i vjetër, zbatimi i dobët i legjislacionit. Riatdhesimi i Alvin Berishës, pas angazhimit të medias dhe qeverisë italiane mbetet rasti i vetëm publik i riatdhesimit nga kampi Al Hol. Për shtetin shqiptar rikthimi është konsideruar si një proces i komplikuar, por për këtë vit si argument përdorin pandeminë.
Më 14 shtator, teksa fëmijët me maska nisën një vit shkollor të pazakontë, në Kryeministri u mbajt një protestë. Kur të gjithë fëmijët u rikthyen në shkollë, 50 fëmijët shqiptarë që janë ende të burgosur në këtë kamp, ende nuk e kanë të sigurtë jetën. Me pankarta në duar, ata kërkojnë edhe rikthimin e fëmijëve në vend. Këshilltarit i Kryetarit të KMSH-së, Ylli Gurra tha se qeveria shqiptare ka përgjegjësi mbi qytetarët e saj dhe duhet që sa më shpejt të ndërhyjë për të rikthyer fëmijët shqiptarë në kampin e Sirisë, në shtëpinë e tyre.
Endrit dhe Eva Dumani janë dy fëmijët e mitur nga Tirana, të cilët prej rreth 6 vitesh ndodhen në zonën e luftës në Siri. Prej shumë kohësh për ta është kujdesur gjyshja e tyre Mentije Dumani por ajo ndërroi jetë pak ditë më parë në kampin Al-Holn. Dy fëmijët u larguan me të atin Shkëlzen Dumani i cili gënjeu të shoqen, mori autorizimin e saj dhe bashkë me fëmijët iu bashkua luftës së shtetit islamik. Ai vdiq gjatë luftimeve të grupit islamik, ndërsa tashmë pas 6 vitesh familjarët shpresojnë që ata të kenë fatin e Alvinit, i cili tashmë ndodhet pranë familjes.