Shpifja e qeverisë me paketën antishpifje. Asnjë ndërkombëtar nuk mbështet Ramën

Vendosmeria e kryeministrit Rama për të miratuar ligjet e mediave me forcë janë rasti më flagrant ku qeveria ka reagim të fortë ndërkombëtar.

I gjendur nën kritika të opinionit në vend dhe shoqatave të gazetarëve, kryeministri deklaroi dje se paketa ligjore ka mbështetjen e OSBE dhe ndërkombëtarëve. Duke përdorur “ndërkombëtarët” edhe njëherë kreu i qeverisë u mundur të fshihet pas ligjeve që janë as më shumë dhe as më pak censurë. “Projekt-ligji është konsultuar e përpunuar prej një viti, nen për nen e pikë për pikë me OSBE dhe do të hyjë në seancë pa asnjë cen në aspektin e standarteve të lirisë për t’u shprehur e të së drejtës për t’u informuar pa kufizim, po edhe të mundësisë për t’u mbrojtur nga shpifjet”,- deklaroi kreu i qeverisë.

Sa herë ka një problem me opinionin vendas, fjala magjike që u serviret shqiptarëve janë “ndërkombëtarët”. Njëlloj me qëndrimin e Edi Ramës edhe numri dy i PS-së, Taulant Balla i cili tha disa ditë më parë në komisionet parlamentare se ligji për mediat ka mbështetjen e Bashkimit Europian. Po dje një nga ekspertët e qeverisë që ka hartuar ligjin tha se ka marrë modelin e BE-se për antishpifjen. Para mediave nuk arriti të sillte ndonjë nen të konventave ndërkombëtare ku bazohet “Paketa anti-shpifje” e qeverisë “Rama” dhe në fund deklaroi se një model të ngjashëm ka Serbia dhe Mali i Zi!!

Të dy këto vende nuk janë në pararojë të lirisë së medias. Madje në Serbi ka 1 vit që protestohet pikërisht për censurimin që mediat qeveritare i bëjnë shoqërisë civile dhe opozitës.  Eshtë skandaloze që zyra e ekspertëve të Ramës u referohet ligjeve të Beogradit për lirinë e mediave, edhe pse qeveria e Vuçiç është problem më vete në BE për mediat.

Rama thotë se ka mbështetjen e OSBE. Balla po ashtu citon Bashkimin Europian. Këto ditë nuk ka asnjë deklaratë të BE dhe OSBE që mbron projektin “antishpifje” të qeverisë së Edi Ramës. Përkundrazi projekti i Edi Ramës është kundërshtuar nga OSBE. Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Desir është takuar disa herë me Edi Ramën dhe këshilltarët e tij për mediat. Pas takimeve qëndrimi i tij ka qenë gjithmonë i njëjtë se ligjet nuk mund të miratohen siç kanë ardhur në Kuvend nga qeveria. Pikërisht me 10 dhjetor, Harlem Desir i kërkonte qeverisë që të rishikonte ligjet. Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur dhe zyrtarë të Këshillit të Europës duke vënë theksin të rreziku i censurës kryeministrore. Ndërkohë që institucionet ndërkombëtare kanë folur hapur kundër ligjit edhe më të ashpër kanë qenë organizatat e huaja të lirisë së medias. Janë mbi 40 shoqata të gazetarëve dhe të drejtave të njeriut, që si asnjëherë më parë në rastin e Shqipërisë, kanë dalë me deklaratë të përbashkët kundër qeverisë “Rama”. Një qëndrim të ngjashëm e kanë mbajtur vetëm për burgosjen e gazetarëve në Turqi apo dhe për censurën në Rusi e kjo tregon se Shqipëria ka hyrë në nivelin e shteteve me probleme serioze me demokracinë.

Për të gjitha këto arsye, deklarata se paketa “anti-shpifje” mbështetet nga OSBE dhe ndërkombëtarët është një shpifje e qeverisë.

Deklarata e Komisoineres së KE për mediat, kundër ligjit të qeverisë “Rama”

Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Desir

SHKARKO APP