Shpresë për 9 familje në Belsh që rrinë në çadra pas tërmetit të 21 shtatorit, ushqime, veshje e ndihma financiare

Komuniteti Mysliman Shqiptar, Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar Elbasan, “Fondacioni Motrat Myslimane Zvicër” dhe “Myftinia Elbasan” gjatë paradites së enjte ishin në fshatin Çestie në Njësinë Administrative Kajan ku jetojnë në çadra nëntë familje me 37 anëtarë të cilave iu shkatërruan banesat nga lëkundjet e forta të tërmetit të 21 shtatorit të këtij viti.

Këtyre familjeve iu janë dhuruar jo vetëm ushqime e veshmbathje por edhe një sasi e konsiderueshme ndihmash financiare.

Kryebashkiaku i Belshit Arif Tafani ka falënderuar Qendrën e Bashkëpunimit Ndërfetar Elbasan dhe Fondacionin “Motrat myslimane Zvicër” për solidaritetin e treguar dhe ndihmën që iu ofruan familjeve të dëmtuara nga tërmeti i 21 shtatorit 2019.

Ndërkaq drejtueset e Fondacioni “Motrat myslimane Zvicër” theksuan se solidariteti në raste fatkeqësish natyrore jo vetëm që nuk mungon për motrat dhe vëllezërit shqiptarë por ndihma e tyre do të jetë e pakursyer.

Ndërkaq Fondacioni ka vizituar dhe ndihmuar edhe familjen Fejzullau, pasi djali i tyre Martini, 22 vjeç prej 16 muajsh si pasojë e një aksidenti të rëndë automobilistik ka mbetur i paralizuar.

SHKARKO APP