Shqetësimet e artistëve, Margariti: TKOB nuk do të privatizohet, kam kërkuar të vetëmenaxhojnë të ardhurat
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti sqaroi sot live në rubrikën “Opinion” në News 24 propozimin e saj, “për një opera që del nga varësia totale e shtetit”.
Margariti thotë se me këtë nuk ka dashur të thotë që menaxhimi i TKOB do t’i kalojë privatit, por që ky institucion të ketë mundësi të vetëmenaxhohet falë të ardhurave që marrin nga shfaqjet. Ajo tha se paratë e mbledhura nuk duhet t’i hedhin në arkën e shtetit por t’i vetëmenaxhojnë.
“Si çdo herë merren fjalë të veçuara dhe jepen sfumatura që nuk ekzistojnë është momenti edhe për një sqarim. Në një analizë 4 vjeçare ajo që doja të ndaja është që teatri ka potencial dhe mundësi të dalë nga varësia totale, të mos presë nga buxheti i shtetit, pra të gjenerojnë më shumë të ardhura nga të ardhurat të ketë arkën e tij, ta mirëmenaxhojë për të rritur standardet qoftë në teknologji, pra të ketë një buxhet të dedikuar për veten e vetë”,- tha ajo.
Margariti sqaroi se, TKOB do vijojë të jetë shtetëror, do vazhdojë të mbetet i tillë. Ndaj nuk duhet të merren fjalë të copëzuara për t’i dhënë ngjyrime politike”.
Sa për penalizimin e këngëtarëve gjatë pandemisë, Margariti theksoi se ka bërë takime me ta, por shton se duke qenë se ata nuk janë shumë mirë të formalizuar në treg, është e vështirë të përllogaritet humbja e tyre.
“Ne kemi rishikuar metodikën për ndihmën e tyre me projekte të brendshme. Rastet mund të jenë sporadike, ne kemi krijuar festivale apo aktivitete, të gjitha formulat janë menduar nuk kemi kthyer asnjë kërkesë të tyre dhe sado simbolike. Këto aktivitete kanë filluar jo në masën që vetë artistët do të donin. Për t’ju ardhur në ndihmë i kemi kërkuar dokumentet që llogaritin humbjen e tyre.
Ne kemi bërë takime të dedikuara edhe në ministri. I ftoj të paraqesin sipas rregullave humbjen e tyre pra qoftë kontrata që kanë humbur, do të donim përllogaritjen e tyre, deklaratë të të ardhurave të tyre. Këtu kemi pasur problematika që nuk mund t’i zgjidhim. Na ndodh që nuk janë të formalizuar brenda kornizave ligjore me sigurimet, pra punojnë me kontrata sporadike”,- tha ajo.