Shqipëri-Serbi: Ja masat e marra nga Policia (kyçen të gjitha lokalet)

Drejtoria e Policisë e Qarkut te Elbasanit ka marrë një sërë masash organizative në  drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë, për zhvillimin sa  më normal të ndeshjes Shqipëri-Serbi, e cila do të  zhvillohet  më  8 tetor 2015,  në  ora  20:45,  stadiumi “Elbasan Arena”.

Sa më sipër, në ora 08:00,  të  datës 08 tetor 2015, bëhet me dije se, do  të  bllokohen disa segmente rrugore. Kështu, do të bllokohet bulevardi “Qemal Stafa”,  që  fillon  nga  Posta  deri  në  dalje  të  unazës  për  në  Librazhd; bulevardi  “Aqif  Pasha”,  që  fillon  nga  1 Maji  deri  tek  ish-konservimi i vjetër deri  tek Harullajt. Nuk do të lejohet  parkimi i mjeteve nga rreth-rrotullimi i luleve deri tek rreth-rrotullimi i Zaranikës. Po ashtu,  nuk  do  të  lejohet  parkimi i automjeteve  përreth dhe përballë  stadiumit, si dhe nuk  do  të  lejohet    lëvizja  dhe  parkimi  i  mjeteve  në   dy  bulevardët  kryesorë.

Sipas Policisë, hyrja e sportdashësve do të  fillojë  në   orën  16:30  dhe  do  të mbarojë  në  orën  20:15,  me  qëllim shmangien e radhëve  të   gjata  në  hyrje  për në  stadium.

Për ndeshjen do të angazhohen 1500  punonjës  policie,  nga  këto  308   punonjës  policie  do  të  jenë  nga  Drejtoria  e  Policisë se  Qarkut  Elbasan.

Të  gjithë  sportdashësit  do  të  jenë   të  pajisur  me  kartë  identiteti   dhe nuk duhet të kenë me vete  sende të forta, shishe (të çfarëdolloji), fishekzjarrë, monedha  apo  metale  (të  çfarëdolloji)

Në   hyrje   të  stadiumit  do  të  kontrollohen të  gjithë  sportëdashësit. Të  gjitha lokalet që ndodhen në  bulevardin “Aqif  Pasha”, nga stadiumi  deri  tek  Shatërvani,  nga  ora 12:00 dhe  deri në  përfundim të ndeshjes do të  jenë  të  mbyllura. Në të gjitha  ballkonet, ambientet dhe  pallatet përreth stadiumit,  nuk  do  të  lejohen  persona që  nuk  janë  pjesëtarë  të  familjes.

Drejtoria e Policisë  Elbasan i  kërkon qytetarëve që të   minimizojnë  më  datë  8 tetor  2015,  lëvizjen e tyre me automjete   brenda qytetit  të  Elbasanit, çka do të sillte   një  ndihmesë  të  madhe  në  zhvillimin  sa  më  normal  të këtij  aktiviteti.

SHKARKO APP