Shqipëria bëhet gati të përfitojë nga plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor
Para se të trokasë në dyert e Bashkimit Europian, Shqipëria duhet të jetë gati. Për një “po” në vend të një “jo-je”, Shqipëria dhe shqiptarët duhet fillimisht të integrohen ekonomikisht. Në këtë drejtim, është Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor që pritet t’i japë “një dorë” vendit.
Për të përfituar nga “mundësia me kushte”, institucioni i Ministri të Shtetit dhe Kryenegociator ka hedhur për konsultim publik “Agjendën Kombëtare të Reformave 2024-2027”. “Faza aktuale e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian e bën të qartë nevojën e ngushtimit të hendekut të konvergjencës ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së, në drejtim të zhvillimit social-ekonomik të vendit. Agjenda adreson sfidën e rritjes së shkallës së integrimit të ekonomisë kombëtare dhe asaj rajonale në Tregun e Vetëm të BE-së rritjes së produktivitetit të ekonomisë shqiptare, rritjes së aftësive të bizneseve dhe fuqisë punëtore.” Ministri i Shtetit dhe Kryenegociator.
Nga klima e biznesit, te kapitali njerëzor, energjia bashkë me tranzicionin digjital e me në thelb shtetin e së drejtës… janë këto pesë drejtimet në të cilat planifikohet të shtrihen reformat në tre vitet e ardhshme. Shqipëria do mund të përfitojë deri në 1 miliardë euro grante dhe kredi për të financuar projekte nga i ashtuquajturi “Plani i ri i Rritjes së Ballkanit Perëndimor”.
“Objektivat konkrete që synohen të arrihen përmes këtij kriteri politikash janë rritja e konkurrueshmërisë dhe qeverisjes ekonomike kombëtare; e efikasitetit dhe transparencës së shtetit të së drejtës; transformimi digjital i arsimit për të nxitur zhvillimin e një fuqi, sidomos me fokus modernizimin e shërbimeve publike; avancimi me sigurinë energjetike, qëndrueshmërinë e energjisë dhe integrimin e tregut tonë me atë rajonal dhe atë të BE-së, përmirësimi i klimës së biznesit dhe kapitalit human.”
Bazuar në dokumentin e “komisionit”, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë në dispozicion 6 miliardë euro, 2 prej të cilave grante dhe 4 kredi. Bashkimi Europian vlerëson se me vënien në dispozicion të këtyre parave, vendet e rajonit mund të rrisin ekonomitë e tyre me deri në 10 për qind, duke thithur edhe më shumë investime të huaja.