Shqipëria dënon qëndrimin e Rusisë që mohon bombardimin e Konsullatës së Nderit në Kharkiv
Shqipëria ka dënuar përdorimin e lajmeve të rreme nga ana e Rusisë për të mohuar bombardimin e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thotë se pamjet flasin vetë.
“Ky shkatërrim i ambienteve si dhe i dokumenteve në arkiva është një shkelje flagrante e nenit 61, kreu III i Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore. Dezinformimi dhe lajmet e rreme për këtë sulm janë të papranueshme!”, citohet nga deklarata.
Ishte zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova e cila mohoi akuzat e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, “se Rusia është përgjegjëse për bombardimin e konsullatës së nderit të Shqipërisë në Kharkiv”.
Forcat ushtarake ruse, më 7 mars, u akuzuan nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë si përgjegjëse për bombardimin e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv.