Shqipëria destinacion turistik dhe gjatë muajve të ftohtë
Çdo ditë e më shumë të huajt npo e konsiderojnë Shqipërinë një destinacion pushimesh të gjata edhe jashtë sezonit turistik.
Hening është nga Gjermania. Ai ka një shkollë për windsurfing. Gjatë verës i duhet të punojë, ndaj tani është koha ideale për të pushuar dhe eksploruar vende të reja me rulotin e tij. Ky kamping në Karpen të Kavajës, buzë detit Adriatik, është kthyer në një ndalesë disa javore për të vizituar Shqipërinë dhe bukuritë e saj.
“Në të kaluarën kemi qenë në Kroaci e Itali dhe se mendoj tw ishte kaq bukur në Shqipëri. E zbuluam këtë vend përmes aplikacionit “Park for nights” ku gjen vende që ofrojnë shërbime në të gjithë botën për udhëtarët. Tirana dhe Durrësi janë qytete të këndshme. Kemi më shumë se dy javë dhe do të qëndrojmë dhe 2-3 javë të tjera”.
Edhe Ulf po shfrytëzon stinën e ftohtë për të pushuar dhe njohur vendin tonë dhe kulturën e tij.
“Për herë të parë për Shqipërinë dëgjuam nga miqtë tanë dhe ja ku jemi. Më pëlqen shumë. Vend i bukur me natyrë të mrekullueshme, pastaj vendasit janë shumë miqësorë dhe të përzemërt. Nuk mund të mos përmend dhe gatimet e shijshme. Kampingu këtu është i qetë. Nuk ka shumë njerëz në këtë stinë dhe po e shijojmë”.
Të joshur nga natyra, ditët plot diell, ushqimi i mirë dhe mikpritja shqiptare, këta turistë gjermanë të dimrit premtojnë se do të kthehen sërish edhe me të tjerë miq.