Shqipëria e mrekullueshme në qendër të vëmendjes në Festivalin Universal të EHL në Lozanë

Shqipëria u prezantua me dinjitet dhe entuziazëm në Festivalin Universal të organizuar nga École hôtelière de Lausanne (EHL), një nga institucionet më prestigjioze në botë për Hoteleri dhe Turizëm. Aktiviteti, i mbajtur në ambientet e universitetit në Lozanë, shërbeu si një platformë ndërkombëtare për të promovuar kulturën, turizmin dhe kulinarinë shqiptare para një audience ndërkombëtare të përbërë nga studentë, pedagogë dhe profesionistë të fushës.
Përfaqësimi i Shqipërisë u mundësua nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë, në bashkëpunim të ngushtë me studentët shqiptarë që ndjekin studimet në EHL. Në stendën e titulluar “Albania”, vizitorët u përfshinë në një atmosferë autentike shqiptare, ku mikpritja, ngrohtësia dhe krenaria kombëtare u shfaqën në çdo detaj.
Përmes videove promovuese, materialeve informuese dhe fotografive mahnitëse, u sollën në vëmendje bukuritë natyrore të Shqipërisë, trashëgimia kulturore dhe potenciali i saj si një destinacion turistik i pazbuluar. Nuk munguan as shijet tradicionale – pjata të përgatitura me kujdes dhe dashuri nga vetë studentët shqiptarë, të cilat ngjallën interes dhe duartrokitje nga të pranishmit.
Ky prezantim vjen në një moment të rëndësishëm, në prag të hapjes së sezonit turistik, duke shërbyer si një thirrje për të zbuluar një vend të mbushur me histori, natyrë dhe mikpritje të rrallë mesdhetare.
Në aktivitet mori pjesë edhe z. Valon Gashi, Sekretar i Parë në Ambasadën e Shqipërisë në Bernë, i cili foli për zhvillimet pozitive në sektorin e turizmit shqiptar dhe ftoi të rinjtë e pranishëm të vizitojnë dhe të bëhen ambasadorë të Shqipërisë në botë.
Shqipëria, kjo perlë në zemër të Mesdheut, vazhdon të befasojë dhe të frymëzojë, duke u ofruar vizitorëve një përvojë të pasur me autenticitet, natyrë të virgjër dhe një trashëgimi që flet me gjuhën e shpirtit dhe të kohës.
KJ/ AV