Raporti i KE, Zgjidhja: Shqipëria “kampionia” e Ballkanit Jugperëndimor për borxhin publik
Partia Zgjidhja e drejtuar nga Koço Kokëdhima, ka reaguar në një status në facebook lidhur me raportin e Komisionit Europian ku thuhet se Shqipëria është “kampionia” e Ballkanit Jugperëndimor për nivelin e lartë të borxhit publik.
“Shqipëria po zhytet thellë e më thellë në borxhe. Serbia, Shqipëria dhe Mali i Zi, deri në vitin 2016, kryesonin në rajon për nivelin e lartë të borxhit publik, që e kalonte nivelin e 70% të PBB, një nivel që konsiderohet i paqëndrueshëm për vendet në zhvillim dhe me konkurrueshmëri të ulët”, thuhet më tej.
Reagimi i plotë
Piramida e borxheve të qeverisë
Komisioni Europian deklaroi se Shqipëria është tashmë “kampionia” e Ballkanit Jugperëndimor për nivelin e lartë të borxhit publik. Sipas raportit të publikuar, Shqipëria po zhytet thellë e më thellë në borxhe. Serbia, Shqipëria dhe Mali i Zi, deri në vitin 2016, kryesonin në rajon për nivelin e lartë të borxhit publik, që e kalonte nivelin e 70% të PBB, një nivel që konsiderohet i paqëndrueshëm për vendet në zhvillim dhe me konkurrueshmëri të ulët.
Në projektbuxhetin afatmesëm të vitit 2015 qeveria parashikonte që në vitin 2018, borxhi publik të ulej. Por, vjet ai ishte 70.1% të PBB-së. Ky është niveli më i lartë i borxhit në rajon. Vendet fqinje si Mali i Zi dhe Serbia arritën ta ulin ndjeshëm atë në 59% të PBB-së. Serbia arriti ta ulë me 10 pikë përqindje në vitin 2017.
Shqipëria ka bërë të kundërtën edhe pse ishte këshilluar fort nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore që të mos rrezikonte si gjatë qeverisjes së PD-së. Rritja ekonomike ishte poshtë parashikimeve, por goditjen më të rëndë ekonomisë dhe borxhit publik ia kanë dhënë koncesionet pa fund. Qeveria ndërkohë ka nisur katër projekte nga paketa “1 miliard” në formën e Partneritet Publik-Privat me vlerë 86 miliardë lekë.
ZGJIDHJA është shprehur që një vit më parë se programi “1 miliard” është vetëm një borxh i fshehur për shqiptarët, ashtu siç thotë tashmë FMN-ja, e cila shprehet e shqetësuar për aftësitë e qeverisë që të vazhdojë me konsolidimin fiskal dhe uljen e borxhit publik.
ZGJIDHJA u kërkon FMN-së dhe Bankës Botërore që të mos mjaftohen me deklarata dhe konstatime. Ato të tregojnë realisht se çfarë rrezikon vendi nga borxhet e pafundme që merr qeveria. Mjafton të rikthehet në kujtesë ajo që ndodhi 21 vite më parë me skemat piramidale për të kuptuar se sa të rrezikshme janë këto aventura që do të marrin fund vetëm me përmbysjen e kësaj elite politike dhe me ardhjen e “Zgjidhja”-s në pushtet.
#ZgjidhjaPërEkonominë
KOHA JONË SONDAZH

