Shqipëria merr kryesimin e Kartës A-5, ministri Hasani: Prioritet anëtarësimi i Kosovës
Nga 1 janari 2024, Shqipëria merr kryesimin një vjeçar të Komisionit të Partneritetit të Kartës SHBA-Adriatike (A5). Gjatë ministerialit të A5 që u mbajt në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani theksoi se duhet të marrë fund bllokimi i anëtarësimit të Kosovës në A5.
“Anëtarësimi i Kosovës është tejet i vonuar. E kemi mbështetur plotësisht dhe tradicionalisht anëtarësimin e Kosovës në nismën tonë dhe na vjen shumë keq që ky anëtarësim vijon të jetë i bllokuar. Gjatë kryesimit tonë do të angazhohemi me përparësi për ta zgjidhur këtë çështje sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai.
Ministri Hasani tha se vlerëson rolin e Kartës A-5, në përpjekjet e vendeve të rajonit drejt integrimit të plotë euroatlantik. “Kemi mbështetur konceptin e RMV për rigjallërimin e A-5 dhe synojmë ta çojmë atë më tej gjatë kryesimit tonë. Gjithashtu, do të përpiqemi ta përshtasim Kartën për të na shërbyer më së miri në formësimin e përgjigjeve të përbashkëta ndaj kërcënimeve dhe sfidave aktuale të sigurisë”, tha ai.
Karta SHBA-Adriatike (US-Adriatic Charter) është një nismë politike sigurie me karakter rajonal, e dakordësuar paraprakisht në Samitin e NATO-s në Pragë (nëntor 2002), mes Presidentëve të Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë dhe SHBA-ve, për tu zgjeruar më pas me Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinën, e ku Kosova, Sllovenia dhe Serbia kanë statusin e vëzhguesit.