Shqipëria nderohet për shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit
Ambasadorja e Shqipërisë në SHBA, Floreta Faber do të jetë e ftuara kryesore në një veprimtari kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.
Veprimtaria që mbahet në Sarasota, Florida, në 29 janar, organizohet nga Federata Hebreje në Sarasota-Manatee.
Pjesëmarrësit që do të mblidhen në Beatrice Friedman Theater, në orën 3 mbasdite, do të mund të ndjekin filmin “Rescue in Albania” (Shpëtimi në Shqipëri), një dokumentar kushtuar shpëtimit të hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore, sipas rrëfimeve të atyre që mbijetuan.
Përveç fjalës kryesore nga Ambasadorja Faber, do të ketë edhe argëtim me valle tradicionale shqiptare nga Grupi Shqiponjat i Vllëzimit në Tampa, që sponsorizohet nga Fondacioni i Trashëgimisë Shqiptare në Tampa, Florida.
Shoqata e Gruas Shqiptaro-Amerikane (AAWO) u bën thirrje bashkatdhetarëve që jetojnë në Florida që të mos e humbasin këtë veprimtari të bukur.
Siç dihet Shqipëria është i vetmi vend në Europë ku gjatë pushtimit fashist e nazist nuk u dorëzua asnjë hebre dhe ku numri i hebrejve pas Luftës së Dytë Botërore ishte më i madh se ai përpara saj. Këtë vit, Federata Hebreje ka vendosur ta përkujtojë Ditën Ndërkombëtare duke nderuar Shqipërinë për këtë akt të madh human. (Illyria)

