Shqipëria në ONVV, ministrja Denaj: Mundësi bashkëpunimi dhe hapësira të shumta për prodhuesit shqiptarë

Kuvendi miratoi projektligjin për anëtarësimin e Shqipërisë në Organizatën Ndërkombëtare të Vreshtarisë dhe Verës (ONVV), që krijon mundësi bashkëpunimi dhe hapësira të shumta për prodhuesit shqiptarë. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj tha se, “Shqipëria është vendi i 50-të që i bashkohet kësaj organizate, e cila këtë vit feston 100-vjetorin e themelimit”.

Denaj thotë se nëpërmjet miratimit të këtij projektligji, një fokus të veçantë merr harmonizimi me praktikat ndërkombëtare, minimizimi i barrierave tregtare dhe mbrojtja e konsumatorëve, si dhe do të përfitojmë nga një rrjet prej rreth 1000 ekspertësh.

“Miratimi i këtij projektligji është në përputhje me programin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për forcimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural me vendet e tjera dhe organizatat ndërkombëtare”, theksoi Denaj.

Vera po fiton terren kur bëhet fjalë për menutë e eksportit agroushqimor të Shqipërisë.
Rritja e prodhimit është nxitur nga shitjet e verës, një prirje që duket se do të çlirojë potencialin në zhvillim të sektorit. Në këtë konteks, ndërtimi dhe promovimi i sektorit të vreshtarisë dhe verërave është pjesë e nismës të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, që synon të diversifikojë eksportet e verës në tregjet jotradicionale.

SHKARKO APP