Shqipëria në Task-Forcën Mjekësore të Ballkanit, debate në Kuvend
Kuvendi i Shqipërisë debatoi sot mbi marrëveshjen për ngritjen e një strukture ushtarake mjekësore shumëkombëshe të quajtur Task-Forca Mjekësore e Ballkanit.
Përmes kësaj marrëveshje Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Sllovenia angazhohen për ngritjen e Task Forcës Mjekësore të Ballkanit, një njësi e dislokueshme ushtarake mjekësore shumëkombëshe, që pritet të përgjigjet në raste krizash dhe fatkeqësish natyrore dhe emergjencash civile.
Në paraqitjen e relacionit që shoqëron këtë marrëveshje deputetët e mazhorancës argumentuan përfitimet që do të ketë Shqipëria nga zbatimi i saj në raste fatkeqësish natyrore.
Po ashtu, sipas deputetes së PS-së Elona Hoxha, anëtare e komisionit të Sigurisë Kombëtare, kjo është iniciativa e parë e këtij lloji për mbështetjen e operacioneve në përgjigje të krizave dhe për të vepruar në kohë rekord.
Marrëveshja, që është iniciativë e SHBA-së dhe Mbretërisë së Norvegjisë, sipas saj, fuqizon bashkëpunimin rajonal. “Rasti i krizës së refugjatëve tregoi që duhet një koordinim më i mirë dhe kjo marrëveshje mund të shërbejë edhe në raste të tilla të ngjashme”, tha ajo.
“Lidhja e kësaj marrëveshje rrit efektshmërinë e strukturave ushtarake mjekësore dhe është një ndihmesë e madhe edhe për vendin tonë në raste të fatkeqësive natyrore. Marrëveshja rrit cilësinë e shërbimit dhe shkëmbimin e eksperiencave të vendeve anëtare”, tha ajo.
Ndërkohë deputetët e opozitës, duke vlerësuar rëndësinë e kësaj marrëveshje, theksuan se ratifikimi i saj është i vonuar.
Sipas deputetes së PD-së, Dhurata Çupi, “ngritja e kësaj Taske-Force është me impakt rajonal, por ajo është vonuar për 3 vite me radhë”. “Qeveria pretendoi se ratifikimi i kësaj marrëveshje kishte kosto rreth 5 milionë lekë të reja, ndaj dhe mesa duket e kemi vonuar 3 vite me radhë ratifikimin e saj”, tha ajo.
Por në emër të grupit parlamentar të PS-së, deputetja e PS-së, Edlira Bode replikoi duke theksuar se “nuk bëhej fjalë për 5 milionë lekë, por për kosto më të mëdhaja financiare që nuk mund t’i përballonim në vitin 2015”. “Tani jemi të përgatitur si nga ana financiare ashtu edhe nga ajo logjistike”, tha ajo.
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, qeverisë së Republikës së Maqedonisë, qeverisë së Malit të Zi, qeverisë së Republikës së Serbisë dhe qeverisë së Republikës së Sllovenisë, për ngritjen e Task-Forcës Mjekësore të Ballkanit” kërkon votim me shumicë absolute./ata/
KOHA JONË SONDAZH

