Historia/Martin Leka:Shqipëria nuk mund të bëhet Palermo

Nga Martin Leka-

-Botuar me 18 Janar 1994, KOHA JONE-

Dje në orën 13:00 Partia Aleanca Demokratike zhvilloi një konferencë shtypi në një nga sallat e Pallatit të Kongreseve. Konferencën e çeli Blendi Fevziu, i cili lexoi një komunikatë shtypi të Presidencës së partisë. Në komunikatë thuhet se vrasja e Gjovalin Cekinit **më 14 janar 1994 shënoi kulmin tragjik të aksionit të pushtetit për të penguar me të gjitha format dhe mjetet veprimtarinë politike të kësaj partie. Gjovalin Cekini ishte njëri nga veprimtarët e demonstratës së parë antikomuniste në Shqipëri. Vrasja e veprimtarit të Partisë Aleanca Demokratike është politike,- theksohet më tej në komunikatë dhe më tej sillen argumentet dhe elementët e kësaj vrasje:

-Njëri nga autorët e vrasjes, Selami Çela, ka zbritur nga një makinë “benz”  pa targë, pak minuta para mbarimit të takimit në Shkodër dhe ka biseduar me personin që ishte në makinën e kryetarit të rrethit të Shkodrës, Ali Kazazi.

-Një person i dytë pjesëmarrës në vrasje, ka qenë një nga provokatorët e shumtë të grupit të PD në sallën e takimit të Aleancës.

-Gjovalin Cekini ka qenë ndër aktivistët kryesorë të Aleancës Demokratike gjatë takimit, që ka ndihmuar në uljen e tensioneve të shkaktuara nga provokatorët e PD.

-Selami Çela ka qenë i pari provokator përballë njerëzve që dilnin nga takimi duke thirrur: “Rroftë Sali Berisha, në Shkodër ka vetëm PD”.

-Gjovalin Cekini dhe vëllai i tij, Pal Cekini, janë përpjekur të parandalojnë përdorimin e armës nga Selami Çela. Më tej komunikata nënvizon se kjo vrasje shënon shkallëzimin maksimal të luftës kundër AD-së dhe se kjo motivohet me faktin se segmente të pushtetit e të partisë në pushtet kanë marrë rrugën e krimit për të realizuar e mbrojtur interesat e tyre politike e ekonomike. Për këtë ata po organizohen në struktura dhe veprimtari të tipit mafioz, në të cilat janë aktivizuar përfaqësues të politikës së lartë shqiptare, të SHIK-ut, pushteti lokal, kriminelë profesionistë, kontrabandistë të naftës dhe të armëve, thyerës të embargos së OKB-së kundër ish-Jugosllavisë, anëtarë të bordit të privatizimit,  njerëz që kanë përfituar ose presin nga ky përfitim në rrugë të pakapshme etj. Të gjithë këta kontrollojnë dhe kanë zënë peng jetën politike e ekonomike në Shkodër të lidhur në një pakt kriminal.

Për sa i përket komunikatës së Ministrisë së Rendit Publik të dhënë dje në TVSH, komunikata konstaton se ajo bashkohet me krimin dhe bën vlerësime politike që janë në kundërshtim flagrant me statusin e një televizioni të depolitizuar. Kjo komunikatë ndryshon nga ajo e dhënë më parë duke theksuar “qytetarinë” në vend të “vrasësit” të dhënë më parë.

Në komunikatë i bëhet thirrje PD, Qeverisë dhe Presidentit, që të zbulojnë e gjykojnë në mënyrë të drejtë e të shpejtë krimin, të individualizojnë, izolojnë e dënojnë segmente kriminale të tipit mafioz, në mënyrë që në gjirin e partisë së parë opozitare në Shqipëri që u ngrit kundër krimit e dhunës, krimi e dhuna të mos kthehen në simbol.

Aleanca Demokratike apelon pranë qeverive të vendeve evropiane e SHBA, Parlamenti Evropian, Këshillit të Evropës, KS – BE-së, BDU-së, Komunitetit të Helsinkit, që të ndërhyjë me gjithë autoritetin e tyre që vrasja tragjike në Shkodër të mos kthehet në precedent të një shteti të dhunës e terrorit,- përfundon komunikata e mësipërme.

Më pas pyetjeve të gazetarëve të pranishëm iu përgjigjën zotërinjtë Neritan Ceka e Arben Imami.

Pyetjet kishin të bënin kryesisht me ngjarjen e fundit të Shkodrës, por edhe jashtë temës, të cilave oratorët nuk iu përgjigjën.

Pyetjes së gazetës “KJ” mbi ngjashmërinë e ngjarjeve të 2 prillit e të ngjarjes së fundit, Neritan Ceka iu përgjigj se në këto dy ngjarje kanë ngjashmëri mes tyre. Kjo tregon ngjashmërinë e pushtetit, tha ai, që duket tek komunikata e MRP dhe bashkimi me të i Prokurorisë, duke vazhduar më tej: – ka ngjashmëri, sepse pushteti ka frikë dhe u kundërvihet kundërshtarëve të tij politikë me armë; ka ngjashmëri, sepse në të dyja rastet janë përdorur bashibozukë, sepse politikanët hedhin gurin e fshehin dorën, sepse funksionarët e MRP e Prokurorisë nuk kanë zënë mend nga fati i kolegëve të tyre të 2 prillit; ka ngjashmëri, sepse të dyja rastet kanë në bazë urrejtjen, me ndryshimin se e para ishte ideologjike dhe kjo ekonomike; të dyja rastet ngrihen mbi bazën e bashkëpunimit të politikës me krimin. Me krimin, me mafia ndërtohet vetëm diktatura. Nëse shqiptarët do të jetojnë dy vjet të këtij bashkëpunimi, zgjedhjet nuk do të bëhen pas 2 vjetësh.

“Cila do të jetë strategjia e PAD nëse PD e Ministria e Rendit Publik do të mbajnë të njëjtin qëndrim”, – ishte kjo një pyetje së cilës Ceka iu përgjigj:

-Ne kemi vetëm një strategji, që është demokracia.

Pyetjes së gazetarit të RD, sipas të cilit kjo ngjarje nuk mund të ishte në favor të PD, zoti Imami iu përgjigj se nuk jam i bindur në favor të kujt është, për sa kohë është rasti i tretë që ndodh në Shkodër, që përpiqet të krijohet terror. Rasti i parë është incident me socialistët; rasti i dytë ndodhi me Azem Hajdarin në kuadrin e nismës së re politike; ky i treti është rasti me ne që përfundoi me një vrasje tragjike. Ai theksoi se janë i njëjti grup që përpiqet të krijojë terror. Në çdo rreth kemi hasur anëtarë të PD që na janë sulur me metoda të tilla. Më pas Imami përmendi një rast në Durrës ku një njeriu i ishin bllokuar dy maune nga dogana dhe nga njerëzit e PD këtij njeriu iu kërkua të shkonte në takimin e Aleancës, të bërtiste kundër saj, në mënyrë që të zhbllokoheshin maunet e tij. Ju zoti Paloka, vazhdoi Imami, keni dhënë kontributin tuaj në artikullin e djeshëm, kur thoni se njëri nga vrasësit ka qenë në sallën e mbledhjes.  Unë po shtoj se pas kësaj, ata janë takuar në kafenë e turizmit. Një pyetjeje nëse ngjarja lidhet me embargon. Imami iu përgjigj se Aleanca nuk është e para që ka denoncuar embargon dhe për këtë ne nuk flasim për 30 apo 40 litra, ne flasim për tubin që lidh dy anët e Bunës, flasim për maunën me targën e madhe “Marshallah” që qarkullon në Shkodër. Ne akuzojmë për thyerje të embargos persona me veshje pushtetore, ndoshta të lidhur deri në majën e pushtetit.

Lidhur me deklaratën pro-serbe të cilën e citon komunikata e MRP-së, Imami theksoi se ata janë krejt të gënjeshtërta. PAD shkoi në Shkodër për ta hapur vitin e ri politik pikërisht më 24 Janar, në përvjetorin e demonstratës së parë antikomuniste në Shqipëri, ku një pjesë e madhe e pjesëmarrësve në të janë anëtarë të AD-së. Gjovalin Cekini ishte njëri nga pjesëmarrësit e kësaj demonstrate, ishte njëri nga misionarët e Kishës Katolike e besimit fetar. Ne shkuam në Shkodër për të paraqitur idetë tona, programin tonë. Na është bërë një pyetje: “Pse shkuat në Beograd”. Kemi shpalosur platformën dhe qëndrimin tonë për këtë problem, qëndrimin tonë për Kosovën etj. Lidhur me deklaratën se serbët as i kemi vrarë as na kanë vrarë,  kjo është thjesht një gënjeshtër e organeve të rendit. Më pas Imami nënvizoi se gazeta Rilindja datë 16 janar, në faqen 11, thotë se PADSH hedh në tregun politik pikëpamjet e saj, e më tej vazhdon: “fakti është se serbët e shqiptarët janë vrarë e prerë me njëri tjetrin e nuk kanë zhbirë sho-shoqin e kësisoj është normale të dialogohet.  Pra, deklarata jonë në Shkodër ka qenë krejt e kundërta e asaj që pretendon RD e njoftimi i Ministrisë së Rendit Publik. Për këtë posedojmë edhe kasetën e incizuar, përfundoi Imami në vijim të pyetjes së mësipërme.

Neritan Ceka, pyetjes nëse PAD sheh ndonjë përgjegjësi për këtë ngjarje ju përgjigj se këtë pyetje duhet t’ia bëni Presidentit të Republikës Sali Berisha, i cili në rastin e incidentit me socialistët në Shkodër i paralajmëroi ata duke thënë: ç’donte PS në Shkodër? Do të bënte mirë Presidenti të na e kishte thënë përpara se do të organizoheshin këto puce në Shkodër, se ç’donim ne mocionistët në Shkodër.

Nga pyetjet dhe përgjigjet e shumta të zotërinjve Ceka dhe Imami veçojmë takimin e deputetëve të AD-së me drejtorin e përgjithshëm të policisë të Republikës e drejtues të organeve të rendit në Shkodër, të cilët u kanë thënë deputetëve se “janë të interesuar të shuajnë konfliktet fetare në Shkodër”. Deklarata që siç doli edhe nga konferenca për shtyp e liderëve të AD-së ishte e çuditshme. Siç u shprehën ata shkaku i njoftimeve të Ministrisë se Rendit Publik është për çorientuar opinionin. Ndërsa veçojmë thënien e Imamit se zëdhënësit të kësaj Ministrie i them që t’i kërkojë e t ‘i gjejë bashkëpunëtorët e ish sigurimit të shtetit  që nga kreu i shtetit.

Lidhur me pretendimet që AD-ja ka për bashkëpunim me PD. Ceka theksoi ndër të tjera: – Të kthehen paratë e Arsidit e të Zhulalit në Bankën e Shtetit Shqiptar; – të denoncohet pakti islamik e futja e Shqipërisë në të: – të luftohet konkretisht korrupsioni e krimi politik.

Një pyetje jo fort të qartë të gazetarit të ATSH-së, Ceka ju përgjigj: “mua më pëlqen vetëm interesimi i ATSH-së për AD-në, sa herë flitet ndonjë marrëzi për të…”.

Në fund nga drejtuesi i konferencës për shtyp fjala ju dha zotit Neritan Ceka i cili tha: “po ju them diçka: Aleanca nuk përbëhet nga ata burra që kanë frikë, ta dinë mirë dhe po e them: “Shqipëria nuk do të bëhet Palermo, dhe asnjë hap prapa, kaq kam për të thënë”.

Theksojmë se konferenca e shtypit pati interesim të madh dhe kaloi pa asnjë incident, duke shprehur kështu të kundërtën e thashethemeve që qarkullonin dje për gjoja krijime të incidenteve gjatë konferencës.

Në konferencë, një nga anëtarët e PAD-së, pjesëmarrës në takim dhe ndër organizatorët e demonstratës së parë antikomuniste, publikoi në sallën e konferencës edhe emrat e vrasësve të Gjovalin Cekinit, ku njëri ndër ta ishte dhe Selami Çela, i përfolur gjatë këto ditë si në Shkodër, si në komunikatat e MRP-së.

Martin Leka

 

SHKARKO APP