Shqipëria politike në vështrim të paanshëm
Loja politike me tullumbace kohët e fundit është duke u përpjekur të flakë tutje edhe arritjet e reformës në drejtësi. Madje, ia ka arritur të fusë gjerësisht pesimizëm edhe në popull duke krijuar idenë se prej reformës në drejtësi nuk do të dale asgjë. Arsyeja është e thjeshtë: për të ashtuquajturin…
Nga Arian Starova
Në këtë fund viti, kur dëshirat për të lexuar politikë zbehen natyrshëm, do të doja të ndaj me lexuesit e interesuar disa ide të cilat jo vetëm jam duke i menduar gjatë, por bindja për to më shtyn të shkoj edhe një hap më tej, t’i bëj publikë.
Viti që tashmë mund të themi se shkoi e mbërtheu politikën shqiptare te disa çështje që, ndonëse u bënë popullore si të tilla, në të vërtetë, pak njerëz e ndiqnin me saktësi rrjedhën e tyre. Të tilla ishin reforma në drejtësi, dekriminalizimi, hapja e bisedimeve zyrtarë me Bashkimin Europian, përhapja skandaloze e rritjes dhe e kultivimit të kanabisit, korrupsioni qeveritar. Përreth këtyre çështjeve politike vërtiteshin si tullumbace të brishta, nga njëra anë, retorika plot siguri e shumicës qeverisëse deri në mospërfillje për opozitën politike dhe qytetarët e qeverisur dhe, nga ana tjetër, paaftësia dhe pavendosmëria të ambalazhuar bukur të opozitës për të gjetur rrugën e saj të shumëpritur nga qytetarët. Ato janë përplasur me aq forcë me njëra-tjetrën, në Kuvend, në media, në sheshe dhe asnjëra nuk pëlcet!? Përse? Sepse të dyja palët e dinë mirë se nuk e kanë fare mendjen te ato që me shpërdorim i quajnë “halle të popullit”. Siç është dukur deri tani, palët janë marrë vesh të drejtojnë me radhë …. Në 2013, të djathtës i përkiste të merrte një mandat të tretë, por e bëri politikën më një mënyrë të tillë që e baltosi mandatin e dytë duke hapur rrugën për të majtën … A ka ndonjë marrëveshje pas kësaj ideje që, në të vërtetë, nuk është vetëm e imja? Kështu duket, por e vërteta del hapur gjithnjë më vonë dhe sidomos në politikë.
Qytetarët shqiptarë kanë pritur të udhëhiqen nga politika, jo nga tullumbacet, dhe, për fat të keq, ata kuptojnë, disa turbullt dhe disa qartë, se kanë mbetur pa udhëheqje politike. Në këto rrethana, ka qenë e natyrshme që të spikatë fort roli i faktorit ndërkombëtar, ShBA dhe BE përgjatë gjithë vitit 2016. Si për ta theksuar këtë të vërtetë të paaftësisë politike të Shqipërisë, shumica qeverisëse e mbështeste qëndrimin e ShBA dhe BE deri në mohim të rolit të vet udhëheqës, kurse opozita e kundërshtonte deri në paarsyeshmëri të turpshme këtë qëndrim.
Fakti që, ndërkohë, Shqipëria ka ndryshuar dhe përparuar nuk ka të bëjë aq shumë as me vlerat e qeverisjes as me ato të kritikës opozitare. Historia mbarëbotërore ka treguar shumë qartë se vendet e ndryshëm, si rregull, gjithnjë përparojnë, porse udhëheqjet politike që kanë e shpejtojnë, ose e ngadalësojnë këtë përparim.
Kështu pra, ky fund viti u bëri dhuratë shqiptarëve nga politika vetëm dy tullumbace që të gjithë e dimë sesa të brishta janë, por për shqiptarët kjo është shumë shpirttherëse sepse, për ta, kjo do të thotë vazhdim i mungesës së shpresës, sepse, për ta, kjo do të thotë se cilado tullumbace të çahet, apo të mos çahet, ata mbeten njësoj. Nga populli, vërejtjet, pakënaqësitë dhe kritikat për qeverisjen janë të pafund, por të tilla janë edhe për opozitën.
Gjithnjë më ka bërë të mendohem ashpërsia e dukshme e konkurrencës politike ndërmjet të majtës dhe të djathtës në vendin tim. Dhe asnjëherë nuk e kam gjetur përgjigjen e saktë, atë që nuk duket në artikulimin mediatik të përditshëm. A thua vetëm Shqipëria ka pluralizëm politik dhe përvojë në demokraci, qoftë edhe e krahasuar me vendet përreth, për të mos shkuar më tej? A nuk paska gjëra të të tjera të përbashkëta për të cilat mund të bëhet politikë konsensuale përveç problemeve të NATO-s dhe BE-së? A nuk janë të tilla punësimi, mirëqenia e njerëzve, përkujdesja për shtresat në nevojë, zhvillimi i një ekonomie pasurikrijuese, drejtësia, dënimi i krimeve të së kaluarës komuniste, rivlerësimi i historisë së Shqipërisë, përkujdesja për jetën shpirtërore të shqiptarëve etj., etj.? Përse ka një debat aq të egër politik në Shqipëri, aq sa është vënë dukje edhe në raporte ndërkombëtarë për të? Natyrshëm, dikush duhet të mendojë se çdo debat politik i ashpër është patjetër pasqyrim i një kundërshtie të fortë të interesave ndërmjet shtresave dhe grupeve të interesit të një popullsie. Sidoqoftë, Shqipëria nuk jep fakte për ndonjë përplasje popullore kaq të fortë dhe, kam rastin të them, se kjo është meritë e të gjithë shqiptarëve dhe një vlerë e madhe e tyre krahas asaj të bashkëjetesës fetare. Prandaj, duhet pyetur prapë, nëse ky debat i ashpër politik shqiptar nuk pasqyron asgjë nga populli, çfarë pasqyron, atëherë?! Logjika e fakteve na detyron të kthehemi përsëri te loja e tullumbaceve e politikës shqiptare. Përplasjet bëhen thjesht për të fshehur marrëveshjet (prej popullit), ose mosmarrëveshjet (me njëri -tjetrin) për interesa të veçantë.
Loja politike me tullumbace kohët e fundit është duke u përpjekur të flakë tutje edhe arritjet e reformës në drejtësi. Madje, ia ka arritur të fusë gjerësisht pesimizëm edhe në popull duke krijuar idenë se prej reformës në drejtësi nuk do të dale asgjë. Arsyeja është e thjeshtë: për të ashtuquajturin “veting” ka nevojë para së gjithave politika dhe nëse pengohet drejtësia, politikanët e korruptuar janë të shpëtuar prej “vetingut” politik. Ka qenë politika ajo që e ka korruptuar fillimisht edhe drejtësinë në Shqipëri.
Zgjedhjet parlamentare që po afrohen me shpejtësi nuk pranojnë më vonesa, as lojë me tullumbace, por kjo varet shumë edhe prej ndjeshmërisë politike të qytetarëve shqiptarë.

