Shqipëria renditet e fundit në Europë, toka e punueshme për frymë 0.2 ha,
Shqipëria duhet të rrisë produktivitetin e prodhimit bujqësor për shkak se vendi ka sipërfaqen e tokës arë më të ulëtën në Europë sipas evidencave të Bankës Botërore.
Në mënyrë që të ulët varësia nga produktet e importit nevojitet reformim i bujqësie sidomos në drejtimin të teknologjisë dhe ujitjes, duke marrë në konsideratë edhe ndikimet negative që do të ketë ndryshimi i klimës në rendimentin bujqësor në të ardhmen. Banka Botërore në një studim të posaçëm për kapacitetet e furnizimit me ujë në të ardhmen evidentoi se, vetëm 25 për qind e tokës së vendit është e punueshme me vetëm rreth 0.2 hektarë tokë arë për frymë. Për më tepër, degradimi i tokës dhe erozioni i tokës kanë rezultuar në zvogëlimin e sipërfaqes së tokës bujqësore.
“Shqipëria ka tokën arë më të ulëtën për frymë në Europë, prandaj intensifikimi i bujqësisë në sipërfaqen e punueshme konsiderohet rrugë premtuese për transformimin e produktivitetit të prodhimit bujqësor” këshilloi Banka.
Ujitja konsiderohet një instrument i fuqishëm që mund të përdoret për të rritur rendimentin në bujqësi. Sasitë e mëdha të tokave të braktisura nga emigracioni dhe lëvizjet e brendshme demografike po degradojnë nga erozioni dhe po bëhen gjithnjë e më pak pjellore.
Më shumë se 20 për qind e tokës shqiptare rrezikon të gërryhet me një shkallë prej më shumë se 5 t/ha/vit. 70 për qind e territorit po gërryhet me 20 t/ha/vit dhe vetëm 10 për qind e tokës është më pak e prekur nga këtë fenomen.
Banka lajmëron se produktiviteti bujqësor është i kufizuar nga rënia e pjellorisë së tokës kryesisht prej degradimit të tokës dhe përdorimit joadekuat i plehrave. Burimet ujore të Shqipërisë vlerësohen në 13,000 metra kub për frymë në vit.
Edhe pse Shqipëria është e pajisur me burime të bollshme të ujit të ëmbël, përjeton gjithashtu ndryshueshmëri të lartë të reshjeve, me dimër të butë të karakterizuar nga të bollshëm reshje dhe verë të nxehtë e të thatë. Shpërndarja hapësinore dhe kohore e reshjeve dhe temperatura rezulton në ndryshime të mëdha në të gjithë vendin.
Rreth 70 për qind e shiut bie nga tetori deri në mars, me shumicën e reshjeve në nëntor, ndërsa korriku dhe gushti kanë nivelet më të ulëta të reshjeve. Ndryshimet klimaterike do ta përkeqësojnë më tej situatën, ndaj Banka Botërore këshillon Shqipërisë të rrisë më tej kapacitet e ujitjes në bujqësi./Monitor