Shqipëria, të paktën të bëhet si KOSOVA për demokracinë e zgjedhjeve!

-Zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë dëshmuan se në çfarë faze primitive është demokracia në Shqipëri.  Shqiptarët e Kosovës zhvilluan një fushatë elektorale model. Edhe pse në pandemi politika e Kosovës u fokusua te modeli politik që duhet të zgjedhin për të drejtuar vendin e jo te gjobat dhe mbajtja e maskës si shenjë frikësimi i popullatës për qëllime politike. Politika kosovare nuk përdori bandat për blerje apo vjedhje votash, përkundrazi rezultati doli për 5 orë, ndërkohë që në Tiranë rezultati del pas dy javësh dhe ku bandat lidhen me qeverinë për të mbajtur pushtetin.

Kosova festoi dje 13-vjetorin e Pavarësisë. Siç është bërë zakon klasa politike e Tiranës uroi përzemërsisht që shteti më i ri në Europë të vazhdojë rrugën e konsolidimit të njohjes ndërkombëtare dhe demokracisë. Në fakt, teksa u urojmë shqiptarëve dhe institucioneve të Kosovës që të ecin përpara, mesazhi më i mirë që klasa politike në Tiranë mund të bëjë është që të paktën Shqipëria të bëhet si Kosova. Kosova ka sfidën e arritjes së një marrëveshje finale me Serbinë, anëtarësimin në OKB dhe proceset që lidhen me integrimin në BE dhe në NATO. Ndërsa Shqipëria, edhe pse këto faza i ka kaluar prej kohës nga pikëpamja e funksionimit të demokracisë jemi shumë herë më pas sesa shteti i Kosovës. Zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë dëshmuan më së miri se në çfarë faze primitive është demokracia në Shqipëri.  Shqiptarët e Kosovës zhvilluan një fushatë elektorale model. Edhe pse në pandemi me viktima dhe mijëra të infektuar, politika e Kosovës dhe institucionet u fokusuan te modeli politik që duhet të zgjedhin për të drejtuar vendin, jo të gjobat dhe mbajtja e maskës si shenjë frikësimi i popullatës për qëllime politike.

Dita e zgjedhjeve në Kosovë ishte ditë feste dhe jo ditë sherresh dhe gjendje lufte, siç ndodhë rëndom në Shqipëri. Procesi i votimit ishte i ngjashëm me zgjedhjet që mund të bëhen në Norvegji apo Danimarkë. Mijëra qytetarë që prisnin në radhë për të votuar ishin dëshmia se fuqia e votës respektohet më shumë se çdo pushtet tjetër politik. Në Shqipëri dita e zgjedhjeve është dita e tensionit më të madh politik. Sherret partiake dominojnë komisionerët dhe rrahjet, sulmet dhe bllokimet e procesit të votimeve janë lajmet më “normale” që transmetohen nga mediat atë ditë. Partitë politike dhe drejtuesit e qeverisë dhe kur nuk dalin vetë afër qendrave të votimit, lënë në hyrje të tyre, të fortë, bandat dhe sekserët e votave. Pamja normale e një dite zgjedhjesh në Shqipëri, është ajo e përgjimeve si në dosjen e Dibrës dhe të Durrësit, ku ministrat, deputetët dhe drejtorët e policisë vihen në aksion për të vjedhur vota dhe për të dhunuar apo shantazhuar votuesit e opozitës. Në Kosovë nuk u pa asgjë e tillë as gjatë procesit të votimit dhe aq më pak të numërimit të votave. Edhe pse temperaturat ishin minus gradë dhe normalisht mund të kishte vonesa, në Kosovë rezultati u shpallë në kohë rekord. Brenda pesë orëve nga mbyllja e kutisë së fundit të votimit, qytetarët morën vesh se kush kishte fituar. Partitë politike pranuan rezultatin dhe të parët që nuk kundërshtuan produktin e zgjedhjeve ishin partitë që humbën. Në Shqipëri ndodh krejt e kundërta. Pas një dite votimesh të ngarkuar me sherre, plagosje dhe ndonjëherë viktima, në orët e vona të natës ka gjasë që të nis numërimi i ndonjë kutie. Para se të nis numërimi, partitë ndërrojnë komisionerët ose nisin hetimet për të parë nëse njerëzit janë blerë nga kundërshtari. Për një kuti votimi me 500 vota mund të duhen 5 ditë për të numëruar dhe kjo ndodhë vetëm pasi ambasadorët kanë ndërhyrë disa herë për të zhbllokuar situatën. Procesi zgjat me javë madje dhe muaj duke i kthyer zgjedhjet në një maratonë të shpifur akuzash dhe sherresh që nuk ka lidhje me demokracinë. Edhe në zgjedhjet e 2019, ku PS ishte vetëm në garë dhe nuk kishte asnjë kundërshtarë, u deshën tre javë që mbyllej gjithë procesi i numërimit. Mes shumë mesazheve që u bënë dje për 13-vjetorin e pavarësisë, spikaste shprehja: “Urime Kosovë, u bëfsh Shqipëri”! Pavarësisht nënkuptimeve patriotike që ka një shprehje e tillë, mesazhi më i mirë për shqiptarët do të ishte Shqipëria, të paktën të bëhet si Kosova!

Në sensin e demokracië dhe të zhvillimit të zgjedhjeve.

Mili Xhani

SHKARKO APP