Shqipëria vend i shtrenjtë për çmimet e apartamenteve, Spahiu: Ndërtohet në kushte jo normale

Ish-deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu ka komentuar raportin që Shqipëria renditet në tre vendet më të shtrenjta të Europës për çmimet e apartamenteve. Sipas tij, në vend ndërtohet në kushte jo normale. ”Për shumë investitorë, sidomos ata në zonat më të shtrenjta, shitja e apartamenteve apo njësive të shërbimit nuk është emergjencë, pasi nuk ka të bëjnë me kredi të marra, nuk ju mungon likuiditeti dhe normalisht nuk kanë nxitim për t’i shitur, ndaj dhe çmimet mbahen në nivele kaq të larta”,-shkruan ndër të tjera Spahiu.

Postimi i plotë

Nuk është aspak çudi që Shqipëria të renditet në tre vendet më të shtrenjta të Europës për çmimet e apartamenteve. Sektori i ndërtimin shihet si më i përshtatshmi për pastrimin e parave (49% e kompanive nuk justifikojne investimin në raport me fitimet e deklaruara). Ndërtohet në kushte jo normale të kërkes-ofertës.

Për shumë investitorë, sidomos ata në zonat më të shtrenjta, shitja e apartamenteve apo njësive të shërbimit nuk është emergjencë, pasi nuk ka të bëjnë me kredi të marra, nuk ju mungon likuiditeti dhe normalisht nuk kanë nxitim për t’i shitur, ndaj dhe çmimet mbahen në nivele kaq të larta.

Sipas informacionit të ”Colliers International”, në kryeqytetin shqiptar çmimet e apartamenteve variojnë nga 600 në 4 mijë euro për metër katror. Pra një familje shqiptare me të ardhura mesatare e ka të pamundur të blejë një apartament në kryeqytet, pasi shpenzimet për ushqim, veshmbathje, arsimim, energjinë elektrike dhe ujin janë tepër dhe sipas Anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës në Shqipëri një familje me 4 anëtarë nuk mund të kurseje më shumë se 2000 euro në vit.

Në këto kushte për shumicën e shqiptarëve madje edhe për atë pak shtresë të mesme që ka ngelur është e pamundur blerja e një apartamenti me një çmim të tillë. Fakt tjetër i zhvillimit jo normal të biznesit të ndërtimit është dhe përgjigja e pyetjes se a ka ndonjë kompani të huaj që ndërton në vendin tonë?

SHKARKO APP