Shqiptarët dolën masivisht në zgjedhje, u regjistrua numri më i lartë i votave

Shqiptarët kanë marrë pjesë masivisht në zgjedhjet që u mbajtën dje në Shqipëri për të zgjedhur qeverinë e 4 viteve të ardhshme.

Nga 3 588 869 shqiptarë me të drejtë vote, sipas projeksioneve paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet e ditës së djeshme kanë votuar mbi 1 milion e 740 mijë shqiptarë. Ndërkohë që sipas informacioneve të gazetës “Panorama”, përqindja e pjesëmarrjes në votime është më e lartë. Në këto zgjedhje shënohet edhe numri më i lartë i votuesve që kanë votuar që nga zgjedhjet e vitit 2001, që ka marrë në analizë gazeta “Panorama”.

Ndërkohë, krahasuar me zgjedhjet e parafundit, të 2017-ës, sipas projeksioneve paraprake rezulton të ketë 3% më shumë fletë votimi në këto zgjedhje. Ndërkohë, nëse do të përllogarisim me numër votuesish, bëhet fjalë për më shumë se 130 mijë votues më tepër.

Megjithatë, këto janë projeksionet paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të marra nga raportimi i 642 qendrave të votimit, nga 5199 qendra votimi që ishin në total në të gjithë Shqipërinë. Ndërkohë, nëse shkojmë edhe më herët në zgjedhjet e kaluara, në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës PD rifitoi mandatin e dytë në atë kohë me një milion e gjysmë votues që morën pjesë në votime.

Ndërkohë, në vitin 2013 pati një rritje të ndjeshme të numrit të votuesve, duke shkuar në 1.7 milion votues dhe në këto zgjedhje Partia Socialiste në koalicion me LSI-në fitoi mandatin e parë qeverisës. Ndërsa në zgjedhjet e 2017- ës, kur të tria forcat politike kryesore dolën më vete në zgjedhje, patëm një pjesëmarrje relativisht të ulët të qytetarëve në votime dhe me 1.6 milionë qytetarë.

Në 2017-ën Partia Socialiste konfirmoi mandatin e dytë qeverisës këtë herë e vetme. Ndërsa në këto zgjedhje kemi sërish një rritje të pjesëmarrjes së qytetarëve në votime, duke shënuar kështu edhe numrin më të lartë të qytetarëve që nga viti 2001, me rreth 1 milion e 740 mijë votues. Faktor për numrin e lartë të pjesëmarrjes në votime mund të konsiderohet edhe fakti se këtë herë ndodh për herë të parë që zgjedhjet të zhvillohen në pranverë. Për herë të fundit, në 2017- ën, zgjedhjet u zhvilluan në qershor, ku në shumë raste është evidentuar si fenomen pengues për pjesëmarrje në votime fundjava të cilën shqiptarët e shfrytëzonin për të shkuar në plazh kur temperaturat ishin të larta.

Qarku me pjesëmarrjen më të lartë Qarku i Tiranës, sipas raportimeve statistikore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rezulton me përqindjen më të lartë të pjesëmarrjes në votime. Nga të dhënat e nxjerra nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ditën e djeshme dolën për të votuar 54.32% e kryeqytetasve, të cilët janë me të drejtë vote. Kujtojmë që në Tiranë kanë të drejtë të votojnë rreth 910 mijë votues. Ndërkohë, nëse krahasohemi me zgjedhjet e parafundit, rezulton se kemi një rritje të pjesëmarrjes me 6% të votuesve. Ndërsa numrin më të ulët të pjesëmarrjes në votime e ka regjistruar qarku i Vlorës. Sipas të dhënave të raportuara në KQZ, në qarkun jugor kanë votuar vetëm 34.05% e qytetarëve me të drejtë vote. Duket se ka një rënie të pjesëmarrjes edhe krahasuar me zgjedhjet e 2017-ës, ku morën pjesë 35.6% e qytetarëve me të drejtë vote.

SHKARKO APP