Shqiptarët në Siri, gati plani i masave. Çfarë i pret kur të kthehen në vend?

Kthimi pranë familjes i Alvin Berishës ka ndezur shpresën për të tjera familje shqiptare që kanë të afërm të mbetur në Siri.

Ndonëse nuk ka një datë për rikthimin e tyre, Qendra Kundër Ekstremizmit të Dhunshmën në Shqipëri ka gati një plan masash për t’i riintegruar në shoqëri. Për realizimin e tij, kjo qendër bën koordinimin mes 5 ministrive, asaj të Shëndetësisë, të Drejtësisë, të Brendshme, të Arsimit dhe të Financave.

“Qendra merret me këta persona pas riatdhesimit dhe kemi hartuar një plan të detajuar me masa konkrete për të gjitha ministritë”, shpjegon Eda Buci, koordinatore e qendrës.

Por, çfarë ndodh me një person që riatdhesohet nga Siria?

“Është një periudhë 72-orëshe ku nis koordinimi. Ministritë e linjës kanë ngritur grupe pune për të dhënë ndihmën e parë: rehabilitim mjekësor apo dokumentacionin e nevojshëm”, thekson Buci.

Sipas autoriteteve shqiptare, janë 140 shqiptarë në total që kanë shkuar në Siri. Të paktën 29 prej tyre rezulton të jenë vrarë në frontin e luftës, ndërsa 70 të tjerë presin të kthehen në Shqipëri.

SHKARKO APP