Shqiptarët peng në kufi, avokati: Rama i la në zonën neutrale
Ka nxitur debate të forta në vendin tonë, bllokimi emigrantëve shqiptarë që ka qëndruar prej ditësh në zonën neutrale mes Shqipërisë dhe Greqisë. Avokati dhe profesori, Jordan Daci është vetëofruar që të marrë përsipër procedurën ligjore për futjen me detyrim në Shqipëri të shqiptarëve të bllokuar në zonën neutrale. Sipas tij, e drejta e hyrjes së një shtetasi në vendin e tij është parim dhe e drejtë kryesore që nuk ndalohet as në kohë lufte.
”Sigurisht një ndër detyrimet bazë të shtetit por dhe të drejtave kryesore të shtetasit është që ai të hyjë dhe të dalë sa herë që të dojë në vendin e tij. Të paktën sa i përket situatës aktuale, duhet të bëjmë dallimin mes midis disa kategorive. Kategoria e parë është ajo e shqiptarëve që janë rrugëve nëpër botë sepse kanë qenë për x-punë apo për arsye të tjera të përkohshme, dhe kanë ngelur nëpër vende të botës dhe nëse kjo kategori do të vinte në kufirin e Shqipërisë sigurisht që do të lejohet se nuk bën. Në parim asnjë shtetasi nuk i kufizohet hyrja në një vend, shtetas i të cilit është. Kjo është një ndër të drejtat kryesore. Sigurisht në rastin që ne jemi, me vetëdije një lloj mirëkuptimi duhet të ishte edhe nga shqiptarët vetë, që ata të cilët që jetojnë prej vitesh në vende e tjera duhet të kishin zgjedhur një kohë tjetër për të ardhur në kuptimin jo se atyre duhet tu ndalohet por ata vetë nuk duhet të vijnë, sepse vendi ynë i ka kufizimet e dukshme dhe do ta vinte në pozita të vështira për të menaxhuar situatën. Në parim, e drejta e kthimi në vendin e vet të një shtetasi nuk mund të kufizohet kurrë. Edhe në kohë luftë kjo e drejtë mbizotëron”,-tha për ”Euronews”.
Nga ana tjetër, ai thotë se shqiptarët u braktisën dhe u lanë disa ditë në zonën neutrale mes Greqisë dhe Shqipërisë. Avokati nuk u pajtua me propozimin e kryeministrit shqiptar, i cili tha ditën e djeshme se kush nga emigrantët do të lejohet të hyjë në Shqipëri do të vetëkarantinohet për 14 ditë në hotel dhe shpenzimet do t’i paguajë vetë. Zoti Daci theksoi se shpenzimet e karantinës duhet të paguhen nga shteti, pasi sipas tij, jo të gjithë emigrantët janë pasanikë dhe e përballojnë koston e izolimit.