Shqiptarët, sa pak i përdorin kartat bankare
Në ditët e sotme, gjithnjë e më shpesh shikon njerëz që rendisin disa karta në portofolin e tyre. Shumë prej nesh kanë një kartë debiti, të cilën e përdorim masivisht për të tërhequr pagën dhe jo pak të tjerë, kanë edhe karta krediti. Këto të fundit, të përdorura gjerësisht në blerjet online, prenotimet e biletave të udhëtimit, gjatë udhëtimeve jashtë vendit dhe më rrallë për të tërhequr kesh.
Tregu bankar në vend i ofron të gjitha alternativat si karta debiti, karta të parapaguara dhe karta krediti dhe numri i tyre ka ardhur gjithnjë në rritje nga viti në vit. Nisur nga kushtet dhe kriteret e përfitimit të një karte, secili mund të zgjedhë bankën ku dëshiron të marrë kartën dhe madje, brenda ditës të pajiset me të.
Prej më shumë se një dhjetëvjeçari të ofrimit të tyre mund të thuhet me siguri që kartat nuk përbëjnë më një risi për tregun tonë, por mund të konsiderohen një produkt i zakonshëm bankar, për të cilin shqiptarët kanë informacion. Por, si renditet vendi ynë në krahasim me vendet fqinje të rajonit të Ballkanit në shpërndarjen e këtij produkti në popullsi dhe në përdorimin e tij.
Informacioni i mëposhtëm është siguruar nga të dhënat zyrtare të publikuara nga Bankat Qendrore respektive të secilit vend. Paraqiten të dhënat për vitet 2014, 2015 dhe më të plota për vitin 2016, ndërkohë që nuk janë publikuar ende të dhënat për vitin 2017.
Siç mund të vihet re, edhe statistikat për vitet 2014 – 2016 tregojnë një rritje të numrit të kartave në qarkullim nga viti në vit, me një dominancë të kartave të debitit. Vendi ynë lë pas vetëm Malin e Zi për karta krediti dhe Kosovën dhe Malin e Zi për karta debiti.
Por, nëse hedhim një vështrim në rritjen që ka pasur secili vend nga njëri vit në tjetrin, shikojmë që Shqipëria ka rritjen më të madhe në rajon për karta debiti nga viti 2014 në 2015 dhe renditet e dyta për rritjen në karta krediti.
Nga viti 2015 në atë 2016, vendet e tjera të rajonit, përveç Kroacisë, kanë pasur një rritje më të madhe në karta debiti dhe renditet përsëri e dyta për rritjen në karta krediti.
Megjithëse ka shënuar një rritje të mirë krahasuar edhe me vendet e rajonit, nëse u referohemi të dhënave të vitit 2016, vendi ynë renditet i fundit për numër kartash krediti për banor dhe numër kartash total (debiti + krediti) për banor.
Cila është marka më e përdorur e kartave?
Kartat më të përdorura në vendin tonë, ashtu si dhe në rajon, janë nën logon e kompanisë Visa dhe më tej, renditet Mastercard dhe marka të tjera.
Si paraqitet përdorimi i kartave?
Siç vihet re edhe nga shifrat e mësipërme, numri i kartave ka ardhur në rritje nga viti në vit, por sa përdoren nga shqiptarët kartat që mbajnë në portofola.
Me kalimin e viteve, numri i terminaleve ku kartëmbajtësit mund të përdorin kartat e tyre ka ardhur në rritje. Kështu, në fund të vitit 2016, vendi ynë kishte 800 bankomate dhe 7,819 terminale POS (Point of Sale). Nëse do të krahasohemi me rajonin, kemi një numër të kënaqshëm në numër bankomatesh, por një numër relativisht të vogël POS. Kjo mund të vijë edhe prej përdorimit e ndjeshëm të parasë kesh në vendin tonë. Kështu, secili mund të ketë vënë re numrin e madh të ATM-ve që gjejmë në hyrjen e qendrave tregtare. Mund të duket disi absurde, ku në vendin ku nuk është i nevojshëm përdorimi i parasë kesh, pasi pothuajse të gjitha njësitë tregtare kanë një pajisje POS, ka aq shumë mundësi për të bërë tërheqje.
Treguesit kanë ardhur në rritje nga viti në vit, duke lënë pas Malin e Zi, për numër total transaksionesh, e kuptueshme kjo shifër nëse do ta krahasojmë madhësinë e popullsisë së këtij vendi me atë të vendit tonë, por përsëri renditemi të fundit në rajon për numër transaksionesh me kartë. Duke konsideruar që në numrin e transaksioneve përfshihen transaksionet kesh, si dhe pagesat në POS dhe online.
Ashtu si edhe për numrin e transaksioneve, Shqipëria renditet e fundit për volumin e transaksioneve në total të kryera gjatë vitit 2016 dhe për volumin e transaksioneve për kartë. Për volumin e transaksioneve për kartë, diferenca me Serbinë është e vogël, megjithëse si shtet për volumin total, ky vend renditet i dyti në rajon.
Cilët mund të jenë faktorët që kanë ndikuar në këtë ecuri të biznesit të kartave dhe që ka sjellë këto diferenca me vendet e rajonit, edhe ato me popullsi më të vogël në numër.
• Zhvillimi i sistemit bankar dhe rrjedhimisht i Sistemit të Pagesave
Megjithëse edhe në vendin tonë, sistemi bankar ka historikun e tij të zhvillimit, nuk është i ri, vetëm pas viteve 2000 njohu lulëzimin e tij dhe si i tillë u ofruan edhe kartat e para bankare.
• Emigracioni i hershëm
Në të gjitha këto shtete, fillimet e emigracionit kanë qenë më të hershme, duke sjellë një frymë emancipimi drejt produkteve bankare dhe zhvillimit në vendet e origjinës.
• Shtete të hapura, lëvizje e lirë e njerëzve
Lëvizja e njerëzve ka qenë e mundur shumë më herët se vitet ‘90 kur shqiptarët patën mundësitë e para të lëvizjes. Në këtë mënyrë, shtetasit e këtyre vendeve janë njohur më herët me kartat bankare dhe përdorimin e tyre.
• Sipas një vendimi të qeverisë të gushtit të vitit 2016, transaksionet për blerje artikujsh online u kufizuan, pasi u ul limiti për blerje të pataksuara me tarifë doganore. Ky limit u ul nga 143 Eur në 22 Eur. Një mënyrë kjo për të nxitur blerjet brenda vendit.
Megjithatë, pozitiv mbetet fakti që numri i kartave dhe transaksionet kanë shënuar rritje nga viti në vit dhe tashmë janë më se të zakonshme prenotimet e biletave të udhëtimit online, blerjet në eBay, Asos, apo Amazon, përdorimi i kartës në udhëtimet jashtë vendit etj.
Nga Denisa Duka, specialiste e kartave dhe e-banking në Union Bank/Monitor
KOHA JONË SONDAZH









