Shtëpia e Bardhë: Trump do të vendosë brenda dy javësh rreth përfshirjes në konfliktin Izrael-Iran

Shtëpia e Bardhë njoftoi të enjten se presidenti amerikan, Donald Trump, do ta marrë një vendim brenda dy javëve të ardhshme nëse Shtetet e Bashkuara do të përfshihen apo jo në luftën mes Izraelit dhe Iranit.

Duke e lexuar mesazhin Trumpit, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u tha gazetarëve: “Duke u bazuar në faktin se ka mundësi të konsiderueshme për bisedime që mund të ndodhin ose jo me Iranin në të ardhmen e afërt, unë do ta marr vendimin tim nëse do të ndërhyj apo jo brenda dy javëve të ardhshme”.

Leavitt tha në një konferencë të rregullt për shtyp se Trumpi është i interesuar për një zgjidhje diplomatike me Iranin, por përparësia e tij kryesore është të garantojë që Irani të mos ketë mundësi të zhvillojë ndonjë armë bërthamore.

Ajo tha se marrëveshja do të duhej ta ndalonte pasurimin e uraniumit nga ana e Teheranit dhe t’i zhbënte aftësitë e Iranit për të prodhuar ndonjë armë bërthamore.

“Presidenti është gjithmonë i interesuar për zgjidhje diplomatike… ai është komandanti i paqes. Ai është presidenti i paqes përmes forcës. Dhe, nëse ka mundësi për diplomaci, presidenti gjithmonë do ta shfrytëzojë atë”, tha Leavitt. “Por, gjithashtu dua të shtoj se ai nuk ka frikë ta përdorë forcën”.

Leavitt nuk pranoi të thoshte nëse Trump do ta kërkonte autorizimin e Kongresit për ndonjë sulm ndaj Iranit.

Ajo tha se Uashingtoni mbetet i bindur se Irani nuk ka qenë kurrë më afër sigurimit të një arme bërthamore.

SHKARKO APP