Shtetet që kanë kufizime ndaj TikTok-ut, drejt mbylljes në Shqipëri?
Fëmijët janë shprehur se ka bullizim kryesisht ndodh në rrjetet sociale dhe në shkolla, sipas një ankete të realizuar nga organizata për të drejtat e fëmijëve. Shqetësimi për gjuhën e dhunës dhe videot e tilla që prodhojnë nxitje për sherre, janë vënë në qendër të vëmendjes edhe pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani. Sot kryeministri Edi Rama doli dhe tha se do shihet vendimi për të mbyllur TikTok-un në Shqipëri.
Më herët Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja lëshuan urdhëra për ndalimin e përdorimit të TikTok-ut, ndërsa janë shtuar shqetësimet për sigurinë kibernetike dhe privatësinë që paraqet aplikacioni i ndarjes së videove.
Rrjeti TikTok hedh poshtë akuzat se mbledh të dhënat e përdoruesve më shumë se firmat e tjera të mediave sociale, dhe këmbëngul se operon në mënyrë të pavarur nga menaxhmenti i saj. Shumë vende vazhdojnë të tregohen të kujdesshme në lidhje me platformën dhe lidhjet me Kinën. Por cilat janë vendet dhe rajonet që kanë vënë kufizime ndaj rrjetit TikTok apo e kanë ndaluar përdorimin e tij?
INDIA
Në vitin 2020 India bllokoi tërësisht përdorimin e rrjetit TikTok dhe disa aplikacioneve të tjera kineze përfshirë aplikacionin e mesazheve WeChat, lidhur me shqetësimet për sigurinë dhe privatësisë. Masa erdhi pas një përleshje të trupave indiane dhe kineze në kufirin e debatueshëm në Himalaja ku u vranë 20 ushtarë indianë dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Kompanive iu dha një shans për të reaguar ndaj pikëpyetjeve për privatësinë dhe sigurinë. Bllokimi u bë i përhershëm në vitin 2021.
TAJVANI
Në dhjetor të vitit 2022, Tajvani ndaloi përdorimin e rrjetit TikTok në sektorin publik pasi Byroja Federale e Hetimeve paralajmëroi se rrjeti kinez përbënte rrezik për sigurinë kombëtare. Pajisjet qeveritare nuk lejohet të përdorin programe kompjuterike kineze, përfshirë aplikacionet si TikTok, Douyin, Xiaohongshu.
SHTETET E BASHKUARA
Shtetet e Bashkuara thanë këtë javë se agjencitë qeveritare kanë një afat 30-ditor për të fshirë aplikacionin TikTok nga pajisjet qeveritare, si rezultat i shqetësimeve të sigurisë për të dhënat e përdoruesve. Ndërkohë, disa ligjvënës amerikanë po kërkojnë që aplikacioni të bllokohet në mbarë vendin.
KINA
Kina kritikoi vendimin e Uashingtonit, duke e cilësuar si abuzim të pushtetit dhe shtypje të kompanive të huaja. Më shumë se gjysma e shteteve amerikane e kanë ndaluar përdorimin e aplikacionit në pajisjet qeveritare.
KANADAJA
Pas Uashingtonit, Kanadaja njoftoi të hënën se pajisjet e lëshuara nga qeveria nuk duhet ta përdorin rrjetin TikTok, duke thënë se paraqet një rrezik “të papranueshëm” për privatësinë dhe sigurinë. Pajisjet qeveritare nuk do të mund ta shkarkojnë aplikacionin në të ardhmen.
BASHKIMI EVROPIAN
Parlamenti Evropian, Komisioni Evropian dhe Këshilli i BE-së, tre organet kryesore të bllokut, kanë vendosur ndalimin e aplikacionit në pajisjet qeveritare. Njoftimi i Parlamentit Evropian për ndalimin futet në fuqi më 20 mars, ndërsa u ka rekomanduar ligjvënësve dhe punonjësve që të fshijnë aplikacionin nga pajisjet e tyre personale.
PAKISTANI
Autoritetet pakistaneze kanë ndaluar përkohësisht aplikacionin TikTok të paktën katër herë që nga tetori i vitit 2020, duke përmendur shqetësimet se aplikacioni nxit përmbajtje imorale.
Cilat janë shqetësimet më të mëdha për TikTok-un?
Si FBI-ja, ashtu edhe Komisioni Federal i Komunikimeve, kanë paralajmëruar se të dhënat e përdoruesve të TikTok-ut mund të ndahen nga pronari ByteDance Ltd. me Qeverinë autoritare të Kinës. Zyrtarët amerikanë kanë shprehur shqetësim gjithashtu se Qeveria kineze mund të përdorë TikTok-ut për të nxitur narrativë ose dezinformata pro-Pekinit.
Frika u rrit nga lajmet në vitin e kaluar se një ekip me bazë në Kinë ka pasur qasje në mënyrë të parregullt në të dhënat e përdoruesve amerikanë të TikTok-ut, përfshirë edhe në të dhënat e dy gazetarëve, si pjesë e një programi të fshehtë mbikëqyrjeje për të zbuluar burimin e rrjedhjeve të informacionit në media.
Ekzistojnë shqetësime se kompania po dërgon të dhënat e përdoruesve në Kinë, duke shkelur rregullat e rrepta evropiane të privatësisë. Për më tepër, ka pasur shqetësime për përmbajtjen e TikTok-ut dhe nëse ajo dëmton shëndetin mendor të adoleshentëve.
Kush ka kërkuar për kufizime?
Në vitin 2020, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, dhe administrata e tij u përpoqën të ndalonin lidhjet me pronarin e TikTok-ut, ta detyronin atë të shiste asetet e tij në SHBA dhe ta largojnë nga platformat e shitjes së aplikacioneve. Gjykatat bllokuan përpjekjet e Trump për të ndaluar TikTok-un dhe presidenti aktual amerikan, Joe Biden, anuloi urdhrat e Trump pasi mori detyrën.
Megjithatë, Biden urdhëroi që të bëhej një studim më i thellë i kësaj çështjeje. Ndërkaq, një shitje e planifikuar e aseteve të TikTok-ut në SHBA u anulua. Në Kongres, shqetësimi për aplikacionin ka qenë dypartiak. Kongresi amerikan muajin e kaluar ndaloi TikTok-un nga shumica e pajisjeve të lëshuara nga Qeveria amerikane, për shkak të shqetësimeve të ligjvënësve demokratë e republikanë lidhur me sigurinë. Senati në dhjetorin e vitit të kaluar miratoi një version të ndalimit të TikTok-ut, vendim që u autorizua nga senatori republikan konservator, Josh Hawley, nga Misuri. Hawley është një kritik i zëshëm i kompanive të mëdha të teknologjisë.
Ligjvënësi demokrat amerikan, Raja Krishnamoorthi, nga Illinois, ka bashkë-sponsorizuar legjislacionin për të ndaluar funksionimin e plotë të TikTok-ut në SHBA dhe masa e miratuar nga Kongresi në dhjetor kishte mbështetjen e kryetares së atëhershme demokrate të Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
Por, cila është përgjigjja e Tiktok-ut?
“Ne jemi të zhgënjyer që kaq shumë shtete po pajtohen me anën politike për të miratuar politika që nuk do të bëjnë asgjë për të avancuar sigurinë kibernetike në shtetet e tyre dhe bazohen në gënjeshtra të pabaza rreth TikTok-ut”, tha Jamal Brown, një zëdhënës i TikTok-ut përmes një deklarate. TikTok-u po zhvillon plane për sigurinë dhe privatësinë e të dhënave si pjesë e një rishikimi të vazhdueshëm të sigurisë kombëtare nga administrata e presidentit amerikan, Joe Biden.