Shteti i Katarit qëndron krah Shqipërisë dhe popullit shqiptar

Që në momentin e parë të tërmetit të fundit që goditi Shqipërinë më 26 nëntor, i cili shkaktoi mbi 30 viktima qindra të lënduar, Shteti i Katarit i qëndroi në krah Shqipërisë dhe popullit shqiptar duke dhënë ndihma urgjente në zonat e prekura si Durrësi, Thumanë, Vorë dhe Kavajë, në koordinim të plotë me autoritetet shqiptare dhe lokale.

Ndihmat e menjëhershme katariane mbërritën në Thumanë që të martën e 26 Nëntorit, ku iu shpërndanë njerëzve të strehuar në çadra pas shkatërrimit që shkaktoi tërmeti.Ndihma në ushqime dhe material të tjera u shpërndanë gjithashtu në Vorë e Kavajë.

Më 27 Nëntor, në Bashkinë Durrës mbërritën ndihma të tjera nga Fondi i Katarit për Zhvillim në koordinim me Qatar Charity, me nevojat urgjente për të prekurit, përfshirë shtretër, batanije, dyshekë e materiale të tjera, ku ishin të pranishëm Ambasadori i Shtetit të Katarit z. Ali Bin Hamad Al Marri dhe Kryetarja e Bashkisë znj. Valbona Sako.

Ambasadori theksoi solidaritetin e Katarit dhe popullit të tij me Shqipërinë dhe popullin e saj. Ai shprehu ngushëllimet e tij të thella për viktimat e tërmetit, duke iu uruar shërim të shpejtë të lënduarve dhe shpëtim të shpejtë për njerëzit që ende janë nën rrënoja.

Ambasadori nënvizoi se ai u vendos në kontakt të drejtpërdrejtë me zyrtarët në Shqipëri dhe Katar që ditën e goditjes nga tërmeti, dhe se sasi të tjera të mëdha ndihmash do të vijnë, ku përfshihen materiale të nevojshme për ti ardhur në ndihmë vendit dhe për të lehtësuar vuajtjet e të prekurve, duke theksuar se kjo ndihmë nuk do të ndalet dhe se Shteti i Katarit është plotësisht i gatshëm të ofrojë më shumë mbështetje për të dëmtuarit nga tërmeti.

Në këtë drejtim, Ambasadori afirmoi marrëdhëniet e forta të miqësisë midis dy vendeve dhe popujve, dhe se Shteti i Katarit i qëndron në krah Republikës së Shqipërisë në të gjitha rrethanat, veçanërisht në këto periudha të vështira për popullin mik shqiptar.

Nga ana e saj, Kryetarja e Bashkisë Valbona Sako falënderoi Ambasadorin Ali Al Marri dhe Shtetin e Katarit për mbështetjen e vazhdueshme dhe qëndrimin përkrah Shqipërisë dhe popullit shqiptar në përgjithësi dhe banorëve të Durrësit në veçanti, duke deklaruar se Shteti i Katarit u ka ofruar personave të prekur më shumë se parashikimet, gjë që konfirmon miqësinë dhe lidhjet e forta midis dy vendeve në të gjitha situatat.

Gjithashtu, Ambasadori i Katarit vuri në dukje se ai po e ndjek situatën me vëmendje dhe shumë interesim, dhe se është i gatshëm të bëjë më shumë në mbështetje të të prekurve dhe në kapërcimin e gjendjes së vështirë që la pas tërmeti.

SHKARKO APP