“Shteti të stopojë, dhunën ndaj gazetarëve”
Në Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë ndaj krimeve kundër gazetarëve, Avokati i Popullit, Igli Totozani, shprehu solidaritetin për punën e vështirë, lodhjen, përkushtimin e gazetarëve, në misionin e tyre të shenjtë për informimin e publikut.
Avokati i Popullit iu bashkua thirrjes së Kombeve të Bashkuara drejtuar qeverive, shoqërisë civile, medias dhe gjithë të interesuarve në zbatimin e ligjit për t’u bashkuar në përpjekjet globale për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, ndaj krimeve kundër gazetarëve.
Ai u shpreh se: “Është detyra jonë që t’i mbrojmë misionarët e fjalës së lirë. Është detyra e çdo shteti që të parandalojë dhunën ndaj gazetarëve dhe t’u krijojë atyre ambient të sigurt pune, në mënyrë që të ushtrojnë lirisht, me korrektësi dhe paanshmëri profesionin e tyre”.
Më tej, Totozani, theksoi se:”Të godasësh një gazetar është njëlloj si të ngresh dorën mbi demokracinë dhe lirinë. Ndaj ky është një akt që duhet të ndëshkohet sipas ligjit dhe fajtorët nuk duhet t’i shpëtojnë drejtësisë. Por edhe largimet e padrejta nga puna apo kërcënimet ndaj gazetarëve janë akte të dënueshme që cënojnë parimet themeltare të të drejtave të njeriut dhe të lirisë së shprehjes”, tha Avokati Totozani.
KOHA JONË SONDAZH

