Shtyhet afati i skadimit të kartave ID deri në përfundim të gjendjes së epidemisë nga COVID-19
Këshilli i Ministrave ka miratuar sot aktin normativ që shtyn skadencat e kartave të identitetit derisa të përfundojë gjendja e epidemisë nga COVID-19.
Më parë qeveria shqiptare ka nxjerrë katin që bën të vlefshme çdo pasaportë shqiptare që skadonte, deri në dhjetor të këtij viti, por kartat e identitetit do të skadojnë pasi të përfundojë gjendja e jashtëzakonshme.
Kjo vlen për kartat e identitetit që vlefshmëria u mbaron brenda 2020.
A K T N O R M A T I V
PËR
NJË SHTESË NË LIGJIN NR.8952, DATË 10.10.2002, “PËR LETËRNJOFTIMIN ELEKTRONIK TË SHTETASVE SHQIPTARË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Pas nenit 9/1, të ligjit nr.8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar, shtohet neni 9/2, me këtë përmbajtje:
“Neni 9/2
Dispozitë kalimtare
Afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik të shtetasve shqiptarë, që përfundon brenda vitit 2020, zgjatet deri në përfundimin e gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga përhapja e COVID-19.”.
Neni 2
Hyrja në fuqi
Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA