Shtyhet pagesa për taksën e pronës
Qytetarët duket se nuk do ta paguajnë taksën e pronës as gjatë këtij muaji edhe pse në bazë të ligjit ajo ka hyrë në fuqi nga 1 prilli.
Burime nga Ujësjellës-Kanalizimet kanë konfirmuar për Ora News se edhe për këtë muaj fatura që do të shpërndahet nuk do të ketë ndryshim pasi ende nuk kanë një udhëzim të mirëfilltë për ndryshimin e përllogaritjes.
Por drejtori i Taksës dhe Pasurisë në Ministrinë e Financave Enton Duro shpjegon se ministria është ende në pritje të relacioneve nga bashkitë nëse do ta nisin procesin ose jo
“Ende nuk kemi një informacion të plotë se çfarë bashkitë po bëjnë nga pikëpamja e vjeljës së taksës me qytetarët. Ne kemi ndarë një pyetësor në çdo bashki, e cila do të vijë deri në datën 15 dhe do të na krijojë një tablo të plotë si bashkitë operojnë për vjeljen e taksës. Ende për momentin nuk kemi një informacion zyrtar nga baskitë”- tha Enton Duro.
Nuk dihet se kush do të jetë përgjigja e bashkive, ndërkohë për të gjithë ata qytetarë që mund të mos jenë dakord me përllogaritjen e taksës së re sipas drejtorit do të kenë mundësi të ankohen pranë bashkisë.
“Ai mund të drejtohet zyrave të taksave në bashki duke kërkuar procesin e korrigjimit që është përfshirë në metodologji”- u shpreh Enton Duro.
Taka e re për banesat ka hyrë në fuqi në datën 1 prill dhe fatura me përllogaritjen në bazë të çmimit të referencës dhe sipërfaqes do të shpërndahej në fillim të majit. Për qytetarët taksa e banesës do të jetë 0.05% e vlerës ndërsa për bizneset do jetë 0.2%.
KOHA JONË SONDAZH

