Shtyrja e zgjedhjeve, Kume: Mazhoranca s’ka mundësi ankimimi
Presidenti i Republikës Ilir Meta do të flasë të hënën për anulimin e dekretit për zgjedhjet e 30 qershorit. Burime nga presidenca thanë se kreu i shtetit do të mbajë një konferencë të jashtëzakonshme për të shpjeguar arsyet e vendimit. Ndërkohë ish-kreu i KQZ Kristaq Kume e sheh si akt politik qëndrimin që kryeministri dhe mazhoranca po mbajnë ndaj vendimit të presidentit për anulimin e zgjedhjeve.
Në një intervistë për RTV Ora, Kume argumenton se në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, mazhoranca nuk ka hapësira ligjore për të zhvilluar zgjedhjet e 30 qershorit por as për shkarkimin e kreut të shtetit. “Fakti që konsiderohet se një vendimmarrje e tillë e presidentit është ekuivalente me largimin e tij nga zyra e Presidentit, edhe kjo është një deklaratë politike”.
Përsa i përket mundësisë që socialistët të ankimojnë aktin e presidentit në Gjykatën Apelit, Kume kujton vendimin e vitit 2003. “Sipas vendimit dhe arsyetimit të Gjykatës Kushtetuese janë vetëm aktet individuale me karakter administrativ që mund të ankimohen si të tilla në Gjykatën Administrative të Apelit”. Ish-kreu i KQZ e konsideron të drejtë vendimin e presidentit për anulimin e zgjedhjeve, ndërsa thekson se ky ishte hapi I duhur për shmangien e konfliktit. Sipas juristëve mandati i krerëve aktualë të bashkive përfundon pas betimit të pasardhësve të tyre në këto poste.
KOHA JONË SONDAZH

