Shuhet Gazmend Golemi, i lindur për të vallëzuar. Një jetë në skenë, la pas një trashëgimi të paharrueshme
Koreografi i njohur lezhjan, Gazmend Golemi është ndarë nga jeta në moshën 63-vjeçare. Lajmin e hidhur e bëri të ditur djali i tij përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e të atit. Sipas njoftimit të familjes, Golemi ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në spitalin e Firences, Itali, pas një sëmundjeje të rëndë.
Gazmend Golemi filloi karrierën e tij artistike që në moshën 6-vjeçare, duke u ngjitur për herë të parë në skenë si valltar i ri. Pas atij momenti, vallja u bë pjesë e pandashme e jetës së tij, duke e shndërruar në një nga figurat më të njohura të koreografisë shqiptare.
Gjatë karrierës së tij, Golemi ka drejtuar dhe krijuar dhjetëra grupe valltarësh, të cilët janë vlerësuar me çmime dhe mirënjohje brenda dhe jashtë vendit. Kontributi i tij në kulturën shqiptare dhe në promovimin e traditës së vallëzimit ka lënë një gjurmë të pashlyeshme.
Familja, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij e kujtojnë si një artist të palodhur dhe një njeri me shpirt të madh, i cili i dha jetë çdo hapjeje të tij dhe frymëzoi breza të tërë valltarësh. Humbja e Gazmend Golemit është një dhimbje e madhe për komunitetin artistik shqiptar, ndërsa trashëgimia e tij do të vazhdojë të jetojë përmes veprave dhe mësimeve që la pas.
KOHA JONË SONDAZH


