Shullazi sot në Apel, avokati: Denoncimi i gruas, artificë e akuzës
Alban Qafa, avokati i Emiljano Shullazit e cilëson denoncimin e gruas se i është grabitur prona 1 milionë euro, si artificë të organit të akuzës për të mbajtur në burg klientin e tij.
“Marrja e 1 kallëzimi nga një shtetase që kurrë s’ka pasur ndonjë marrëdhënie për ndonjë pronë te Kafe Flora me Gilmando Danin dhe Emiljano Shullazin dhe asnjë proces gjyqësor për ndonjë pronë të pretenduar nga ata, është një artificë e sforcuar e organit të akuzës, për të justifikuar arrestimin e tyre”,tha ai për mediat.
Sipas tij, nuk ka asnjë pronë të blerë nga Gilmando Dani te zona e ish-Kafe Florës apo te Zogu i Zi.
“Nuk ka asnjë shtetas që t’i ketë shitur Gilmando Danit ndonjë vilë për 1 milion euro te Kafe Flora. Gjithçka bëhet për të justifikuar arrestimin e tyre pa asnjë provë duke i dhënë lajme të pavërteta opinionit publik. Kjo për shkak se në datë 5 bëhet gjykimi i masës së arrestit në Apelin e Krimeve të Rënda dhe duan të ndikojnë në vendimin e gjykatës me lajme hipotetike për prona që as Gilmando Dani dhe as Emiljano Shullazi nuk kanë. As te Zogu i Zi dhe as te Kafe Flora”, tha Alban Qafa, avokati mbrojtës i Emiljano Shullazit.
Deklarata e avokatit vjen një ditë përpara se Emiljano Shullazi do të përballet me Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda ku kërkon lirinë nga qelia.
Avokati i Shullazit kërkoi lirimin e klientit të tij, i cili sipas avokatit po mbahet në burg padrejtësisht pasi prokuroria nuk ka asnjë provë që e implikon atë në krimet për të cilat u urdhërua arrestimi.
Disa biznesmenë që dyshohet se janë gjobitur nga Shullazi nuk kanë pranuar të denoncojnë edhe pse Shërbimi Informativ Shtetëror ka bërë një raport të detajuar për këto gjobëvënie.
Kur shpresat e prokurorisë për mbledhjen e provave për mbajtjen në burg të Shullazit po shuheshin, një dëshmi surprizë ka siguruar një provë shumë të rëndësishme ndaj të dyshuarit.
Një grua rreth 50 vjeçe ka trokitur në dyert e hetuesve për të dëshmuar kundër Emiljano Shullazit.
Ajo pretendon se nën kërcënimin për jetën asaj i është marrë një pronë në Tiranë me vlerën e tregut prej 1 milion euro dhe kjo pronë i është kaluar në favor shtetasit Gilmando Dani, i njohur si shok i Shullazit.
KOHA JONË SONDAZH

