Shyqyri Aliaj merr medaljen e mirënjohjes, Veliaj: Vlerësojmë kontributin e shkencëtarëve në periudha të vështira si ajo e tërmetit
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti profesorin e mirënjohur Shyqyri Aliaj, i cili ka drejtuar për vite me radhë Institutin e Sizmiologjisë.
Veliaj i dorëzoi medaljen e Mirënjohjes së Qytetit të Tiranës, për një kontribut të jashtëzakonshëm në sizmiologji, sidomos gjatë tërmeteve të 2019-ës.
“E vlerësoj që jeni pjesë e këtij gëzimi, jo vetëm timin personal, por gëzimin e qytetit tonë, të atyre që e duan shkencën, të atyre që besojnë faktet, të atyre që vlerësojnë punën, edhe kontributin ndër vite të njerëzve të shquar të këtij qyteti. Është një nder i jashtëzakonshëm që profesor Shyqyri Aliajt t’i dorëzojmë mirënjohjen e qytetit të Tiranës, për një kontribut të jashtëzakonshëm sidomos në sizmiologji””, vuri në dukje Veliaj.
Profesor Aliaj tha se ndihet i nderuar për këtë vlerësim që Bashkia e Tiranës i ka bërë atij.
“E konsideroj një vlerësim të lartë që më bëhet sot në Bashkinë e Tiranës nga zoti Erion Veliaj, sepse në situatën e tanishme nuk kam dëgjuar ndonjë shkencëtar që të ngjisë shkallët këtu. Këmbëmbarë, kështu qofshin edhe të tjerët që të punojnë për vendin, për Shqipërinë dhe të vazhdojnë të kontribuojnë”, u shpreh Aliaj.