Si arriti Marin Mema të grumbullonte 1.6 milionë dollarë

Nëse organizatat e bamirësisë, si “Fundjavë Nryshe” apo Fondacioni Firdeus arritën të grumbullonin më shumë se 1 milion dollarë fonde për tragjedinë e 26 nëntorit, për shkak të punës së tyre të njohur mbi kauza të tilla, nga ana tjetër duhet thënë se për emrat e përveçëm ishte e vështirë që të mblidhnin fonde të afërta me organizatat e njohura. Me përjashtim të Marin Memës.

Në bashkëpunim me Rrënjë Shqiptare – organizatë jofitimprurëse me bazë në Nju Jork, që punon për të përmirësuar kushtet e komuniteteve shqiptare në diasporë – Marin Mema nisi një fushatë për donacione në Facebook. Në pak ditë, në link u dokumentuan mbi 1.3 milionë dollarë para të dhuruara, ndërkohë që tani shifra e ka tejkaluar limitin, duke mbërritur në më shumë se 1.5 milionë dollarë.

Pa reduktuar në asnjë mënyrë meritat e organizatës Rrënjë Shqiptare, duhet thënë gjithashtu se edhe Marini ishte një figurë kyçe që i dha akoma më shumë peshë fondacionit që do t’u vijë në ndihmë familjeve të prekura nga tërmeti.

Natyrshëm lind pyetja pse iu besuan Memës afro 1.6 milionë dollarë?

Në një intervistë për ABC News, Marini u shpreh kështu përsa i përket kësaj pyetjeje:

“Jam përpjekur gjithmonë që ta bëj punën e gazetarit me ndershmëri. Puna e gazetarit ka lidhje me njerëzit, me raportin njerëzor dhe se si afrohesh më ta. Nuk është vetëm çështje se mund ta bëj gjithkush, nëse një person ka treguar që është i ndershëm në raport me atë që bën, mundet absolutisht t’i besohet. Unë kam patur fatin dhe i falënderoj të gjithë ata që më kanë besuar dhe prandaj unë sot jam në një pozicion të vështirë, sepse duhet të përvesh mëngët dhe të filloj nga puna, për të çuar deri në fund këtë amanet, me aq sa kemi mundësi.”

“Marin Mema për president” dhe “Marin Mema duhet të dekorohet nga presidenti si ‘Nder i Kombit’” janë disa nga faqet në Facebook që numërojnë me mijëra ndjekës. E thënë kjo për të theksuar figurën që gazetari ka krijuar te publiku për vite me radhë.

Në një kohë kur nuk mungojnë zërat se televizionet kategorizohen sa në njërën anë të partive politike e sa në tjetrën, në një kohë kur vështirë t’u besohet raportimeve pasi nuk është çudi që pas tyre të fshihet diçka tjetër, Marini ka qëndruar larg të gjithë këtyre skemave.

Nëse një pjesë e mirë e kolegëve të brezit të tij punojnë nëpër zyra, janë kryeredaktorë apo ftohen nëpër emisione televizive si analistë, Marin Memën e gjen në terren, nëpër cepat e Shqipërisë dhe jashtë saj.

Duke qëndruar larg skandaleve, sherreve dhe politikës, gazetari investon prej vitesh në atë që di të bëjë më mirë: dokumentaret. Cikli i dokumentareve “Gjurmë shqiptare” është një nga të paktat realizime në televizionet vendase ku publiku nuk ndihet konfuz nëse po merr atë që meriton ose jo. Nuk ndihet i fyer për përmbajtjen, personazhet, historinë dhe mënyrën si trajtohet ajo.

Të gjitha çmimet dhe nderimet prej më shumë se një dekade, të cilat variojnë nga “Reportazhi më i mirë”, “Qytetar Nderi”, “Mirënjohja e qytetit”, “Gazetari më i mirë” e deri te “Njeriu i vitit”, e kanë shndërruar figurën e tij në model.

Përgjatë këtij harku kohor, Marin Mema është vlerësuar ndër të tjera, qoftë nga institucionet qoftë nga qytetarët, edhe për dimensionin që i ka dhënë çështjes shqiptare, e trajtuar me profesionalizëm, larg nacionalizmave të pavlerë. Përmendim këtu dokumentarët për shqiptarët në Sanxhakun e Serbisë, për Manastirin në Maqedoni, për Çamërinë etj. Përsa i përket kësaj të fundit, Mema u shpall person non-grata në Greqi, pas emisioneve të realizuara në zona të ndryshme të Çamërisë.

Në një kohë kur emisionet dhe koha televizive ndahet mes telenovelave, spektakleve, historive me “halle” njerëzish të panjohur, “Gjurmë shqiptare” bën atë që supozohet se nuk duhet të mungojë në një pjesë të mirë të programeve: misioni edukativ.

Për ta përmbyllur, sado i jashtëzakonshëm duket fakti që gazetari arriti të mblidhte afro 1.6 milionë dollarë, është thjesht fryt i një pune dhe investimi ndër vite. Marin Mema është një ndër ato raste kur individi nuk qëndron nën ombrellën e një televizioni, partie apo institucioni të caktuar. Në rast se dikur ishte Top Channel një vlerë e shtuar në karrierën e tij, sot është Marin Mema një vlerë e shtuar në Top Channel.

SHKARKO APP