Si bashkohet PD-ja? Deputeti Hoxha: Gjithçka vërtitet rreth Sali Berishës
Si do të bashkohet PD-ja, me ironi në rrjete sociale është kthyer edhe në batutë. Deputeti demokrat Flamur Hoxha, thotë që Rithemelimi duhet të heqë dorë nga procesi zgjedhor që po organizon. Ai kërkoi një proces më gjithëpërfshirës që shkon në çdo qelizë të PD.
“Zgjidhja për bashkimin e PD është shumë e thjeshtë. Në mbledhjen e grupit deputetët u shprehën njëzëri se e vetmja rrugë është ndërprerja e proceseve në bazë nga grupi i Rithemelimit dhe bashkimi i partisë duke filluar nga strukturat drejtuese të gjithë degëve që ishin pjesë e 25 prillit. Me zgjedhjet që po avancojnë nga Rithemelimi pjesa më e madhe e deputetëve të grupit nuk është marrë. Nëse vendosim të largohemi nga interesat tona dhe shkojmë te qelizat e PD jam i sigurt që në një proces 3-4 muaj mund ta mbyllim këtë krizë”, tha Hoxha.
Po ashtu ai zbuloi edhe se grupi i Rithemelimit nuk ka një projekt të qartë për zgjidhjen e ngërçit në parti dhe bashkimin e saj, por gjithçka ja ka lënë në dorë liderit historik, Sali Berisha.