Si duhet të jetë lideri i PD-së? Përgjigjet Belind Këlliçi: T’i qëndrojë në mënyrë të padiskutueshme fjalës së tij
Deputeti tashmë i zgjedhur i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka zhvilluar një intervistë këtë të martë me moderatorin e Fax News, Rezart Xhaxhiun, për të folur mbi pretendimet e PD-së për shkeljet zgjedhore në 25 prill.
Belind Këlliçi sulmoi qeverinë duke thënë se alternativës së PD-së për shembull për taksë të sheshtë 9%, ajo i përgjigjej me ofertën 50 euro për votë.
Këlliçi akuzoi kryeministrin Edi Rama se nuk ka lënë marifet, hile, apo mekanizëm pa përdorur në mënyrë që të siguronte të paktën 10 mandate në tavolinë.
Deputeti i zgjedhur i Tiranës theksoi disa nga mënyrat si Edi Rama e ktheu në masakër elektorale procesin zgjedhor të 25 prillit, duke përmendur marrëveshjen e 5 qershorit, parandalimit të koalicionit parazgjedhor, ndryshimit të kodit zgjedhor.
Belind Këlliçi kishte një kritikë edhe për ambasadorët. Ai tha se nuk mund t’i tregojnë atij ambasadorët sesi është realiteti në terren pasi e ka parë shumë mirë vetë me sytë e tij.
Një tjetër temë e diskutuar në emisionin “Me Xhaxhiun” ishte dhe lideri i Partisë Demokratike përtej vitit 2021. Këlliçi u shpreh se PD-së i duhet një lider perëndimor dhe që i qëndron fjalës së tij ne menyre te padiskutueshme.
Intervista e plote:
Rezultati? 622 mijë qytetarë që votuan kanë votëbesuar një program, një alternativë, sepse pala përballë nuk ka pasur oferta. Oferta jonë për të rikthyer taksën e sheshtë 9% barazohej me 50 euro për votë. Në çfarë shteti të botës, ke një forcë politikë që të thotë sdo të ul çmimin e karburantit me 40 lekë për litër dhe t’i jap jep forcës që të rrit çmimin me 50 lekë për litër dy javë mbrapa. Nëse ju ma shpjegoni këtë unë tërhiqem.
Pse nuk u krijua një frymë? Ka diçka. Edi Rama nuk ka lënë mekanizëm, hile, marifet pa përdorur për të marrë të paktën 10 mandate në tavolinë. Përmes ndryshimeve kushtetuese në 5 qershor, parandalimit të koalicionit parazgjedhor, ndryshimit të kodit zgjedhor. Përballë gjithë kësaj makinerie shtetërore. Një nga kandidatët përballë meje ka qenë Belinda Ballukku. Por unë nuk kisha vetëm Belinda Ballukun por të gjithe Ministrinë Infrastrukturës dhe drejtoritë në varësi të saj. Mund të jenë leje legalizimi më shumë se 8 vite bashkë në 30 ditë. I sfidoj kundërshtarët të vijnë të thonë një rrugicë të shtruar në Kombinat, Kashar, Yzberisht, Mëzezë, Ndroq.
Të më thonë një rrugë që kanë bërë. Ndërkohë në 30 ditët e fushatës nuk ka mbetur fadromë pa ardhur dhe pa hedhur asfalt elektoral. Një asfalt për të cilin taksapaguesi paguan 3-4-5 herë të njëjtjën rrugë. Ne nuk jemi të varfër, por jemi të vjedhur. 25 prilli është një masakër elektorale që nuk i shërben Shqipërisë. Të kthesh shit-blerjen e votës në një fenomën normal është një problem shumë i madh që do të përballemi në dekadat që vijnë nëse nuk reagojmë sot. Turp t’i vijë prokurorisë, prokurorisë së rretheve, SPAK-ut. Janë 40 çështje në SPAK, kemi 140 çështje në prokuroritë e rretheve. Kemi 20 dosje të dorëzuara në KQZ. Këta prokurorë, gjyqtarë, policë, hetues nuk e kuptojnë se po hedhin në erë të ardhmen e fëmijëve të tyre.
Si do vazhdojë beteja? Kemi dorëzuar një mal me letra. Kemi kërkuar që institucionet të mos flenë gjumë. Kontrollohen nga një individ i vetëm. Edi Rama këtu mbetet vetëm të shpallet zot. Nuk e di për çfarë rri më. Çfarë la pa vjedhur ky, që i duhej një mandat i tretë?! Kemi bërë gjithçka kemi pasur mundësi. Institucionet ligjzbatuese janë aty për të zbardhur. Çfarë kam parë unë me sytë e mi, çfarë kam vuajtur unë në fushatë, nuk ka ambasador që mund të më thotë sesi është realiteti. E di unë sesi është realiteti, jo ata që rrinë në hollet e restoranteve më të shtrenjta të Shqipërisë. E di unë se çfarë është bërë në zonat ku kam qenë.
Lideri i PD 2021 e tutje? Duhet të jetë patjetër një lider perëndimor. Nuk ka asnjë të përbashkët me të shkuarën komuniste. Një lider që ka sa më pak mëkate në kurriz. Duhet një lider që garon me një ekip. Duhet të jetë disi populist. Duhet të jetë shume i fortë dhe t’i qëndrojë në mënyrë të padiskutueshme fjalës së tij dhe objektivit të vendosur bashkarisht me ekipin e tij.