Si festohet Pashka Katolike, tradita dhe domethënia
Këtë të diel, në Shqipëri dhe në mbarë botën kremtohet Pashka Katolike, një nga festat më të rëndësishme për besimtarët e krishterë.
Termi “Pashkë” do të thotë “kalim” dhe për të krishterët simbolizon kalimin nga vdekja trupore dhe shpirtërore drejt jetës së re të amshuar. Kjo festë përkujton ringjalljen e Jezu Krishtit dhe konsiderohet si një moment rilindjeje për besimin e krishterë. Dëshmitë më të hershme për kremtimin e saj datojnë që në shekullin e II.
Pashkët paraprihen nga një periudhë përgatitore prej 40 ditësh, e njohur si Kreshma, e cila karakterizohet nga agjërimi dhe përkushtimi shpirtëror. Ajo nis me të Mërkurën e Përhimtë dhe përfundon me të Dielën e Palmave, duke përkujtuar kohën që Jezusi kaloi në shkretëtirë në lutje dhe agjërim, përballë tundimeve të Djallit.
Kjo ditë e shenjtë festohet në të gjitha kishat e botës, ku besimtarët marrin pjesë në meshë të veçanta me lutje dhe këngë kushtuar Jezu Krishtit. Festimet vijojnë më pas në ambient familjar dhe shoqëror, shpesh të shoqëruara me atmosferë festive dhe muzikë.
Në kultura të ndryshme, traditat e Pashkëve marrin forma të veçanta. Shumë njerëz angazhohen në aktivitete bamirësie dhe lutje falënderimi për ringjalljen e Krishtit. Një nga simbolet më të njohura të kësaj feste është veza, e cila përfaqëson jetën e re dhe ringjalljen. Për këtë arsye, zbukurimi i vezëve dhe lojërat si “gjuetia e vezëve” janë bërë pjesë e pandashme e festimeve të Pashkës.
KOHA JONË SONDAZH

