Si mundet të kesh rritje votash pas 8 vitesh në pushtet? Taulant Balla ka një përgjigje “origjinale”
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Taulant Balla, i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24”, u pyet se përse Partia Socialiste mori kaq shumë vota edhe pse ka tetë vjet në qeverisje e gjatë kësaj periudhë mund të jetë konsumuar në pushtet.
Balla theksoi se shqiptarët e kuptuan se Basha po gënjente, duke shtuar se PS është partia më e organizuar në Ballkan.
“Ne rindërtuam shumë shtëpi. Në Shqipëri po bëhen qytete të reja, pasi tërmeti shkatërroi banesat. Ne përballuam me sukses tërmetin dhe pandeminë e Covid. Qytetarët në fund kishin dy alternativa, një të PS-së, e kishim program krejtësisht normal në dobi të shqiptarëve, Ne ata që thamë i kishim bërë, iu thamë qytetarëve që votoni çfarë kemi bërë ose zgjidhni një rrugë qorre që ishte PD.
Në anën tjetër kemi Bashën, që nuk mund të thuhet se është lider, që ka dështuar, që s’kishte program e ekip. Shqiptarët nuk i merr dot më për budallenj. Shqiptarët e panë se Basha po gënjente. Basha ishte një Xhaferr i ri, ishte një Vehbi Alimuç në variantin holandez. PS është partia më e organizuar jo në Shqipëri, por në Ballkan. Patronazhistët tanë na kanë informuar për rezultatin paraprakisht. Edhe në SHBA bëhen llogaritje nga partitë serioze se sa përqind të votave marrin”, deklaroi Balla.