Si u festua Dita e Verës në Zvicër

Shoqata për Kulturë dhe Integrim “Swiss Albania Event” organizoi një drekë argëtuese plot surpriza për të gjithë, në restorantin “Jetset” në Kloten të Zürichut. Dreka dhe evenimenti i kushtohej festës së njohur tradicionale shqiptare “Dita e Verës”, që shënohet me aktivitete të ndryshme, gjithandej në Shqipëri.

Dreka ishte e shoqëruar me shije shqiptare, antipasta, ëmbëlsira por dhe disa nga shijet e verës “Kosova Wine”. Ajo u përshkua nga emocionet që na dhuruan tingujt e muzikës së mirëfilltë, të kënduar nga zërat e ëmbël të këngëtareve të njohura Enkeleda Bashaj dhe Gentiana Tafili, shkruan Albiinfo.ch.

Një muzikë të interpretuar me një nivel të lartë artistik, na e dhuruan tre instrumentistët e njohur shkodranë: Rafael Lici, Artur Lici dhe Ahmet Ujkashi. Edhe fëmijët u argëtuan në këtë festë të bukur, duke krijuar, sipas riteve të njohura të festës nga Shqipëria, “Veroret” e tyre, të cilat pastaj ua shpërndanë të pranishmëve.

Swiss Digital Desktop Reklama

Festa u zhvillua në një ambient mjaft argëtues, duke kërcyer e kënduar të gjithë së bashku ndërsa surpriza ngeli për në fund. SAE ka marrë një nismë të vlerësojë dhe bashkëpunojë me të gjitha subjektet e artit, kulturës dhe integrimit si dhe promovimit të kulturës shqiptare, duke ndarë dhe vlerësuar një certifikatë mirënjohjeje për ata njerëz që kanë kontribuuar në diasporë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sigurisht, certifikatat e para ishin për ata njerëz që kanë stimuluar dhe kontribuuar në hedhjen e hapave të parë të shoqatës. Por ngelen akoma shumë të tjera, në aktivitetet në vazhdim për t`iu shprehur mirënjohjen secilit prej kontribuesve.

Mesazhi i fundit i evenimentit ishte një thirrje për të gjithë, pa përjashtim, shoqata dhe individë, që të organizohemi e të realizojmë aktivitete cilësore në bashkëveprim me miqtë dhe vendin ku jetojmë, zviceranët dhe Zvicrën.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?