Si u shkel siguria në burgun e Peqinit! Skaneri s’punonte, dhe ashtu u fut a*ma që përdori Mjacaj

Dosja e prokurorisë së Elbasanit për vrasjen e të dënuarit Arben Lleshi dhe plagosjen e shokut të qelisë Indrit Shaqja, nxjerr në pah detaje të rënda mbi sigurinë në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit. Ish-drejtori Kamber Hoxha, pranon se skanerat në hyrje të institucionit nuk kanë funksionuar duke krijuar kështu premisa për futjen e armëve, celularëve dhe sendeve të paligjshme

”Atje bëhet kontrolli i të gjitha sendeve dhe i kalohen të burgosurit nga punonjës policie me detyrë kontrollor dhe i jepen të burgosurit. Skanohen, por skaneri ka qënë me difekt që nga data 21.10.2023. Skaneri është rregulluar përpara 3-4 ditësh. Kontrolli është kryer, por mund të këtë patur neglizhencë në ndonjë moment të caktuar nga punonjësit e policisë të cilët kanë kryer kontrollin. Kontrolli kryhet kryesisht me dorë duke i kontrolluar një për një sendet dhe me dedektor dore”,-thotë në dëshmi ish-drejtori Kamber Hoxha.

Ish-drejtori i burgut ka sqaruar se edhe vetë procedura e kontrollit monitorohet me kamera nga punonjës të tjerë të cilët nuk kanë ngritur asnjë shqetësim, ndërkohë që furnizimi i fundit me ushqime e sende nga jashtë për Sokol Mjacajn është bërë në datën 16 nëntor.

Pikërisht në kohën e defektit të skenarave, dyshohet se arma e përdorur në vrasje është futur brenda burgut, ku në skenë veç vëllait të Mjacajt, del edhe një shtetase që herë prezantohej si kushërirë e herë si mikeshë e tij.

Edhe në këtë moment, kur me siguri Mjacaj ka lëvizur bashkë me mjetin e krimit, kontrollet nuk kanë arritur të zbulojnë armën që ai përdori në vrasje. Një tjetër problematikë del nga kontrolli i dhomës dhe kontrolli fizik ndaj Sokol Mjacajt që është bërë para rreth një muaji e 15 ditësh ndërkohë që nuk është konstatuar asnjë send i kundraligjshëm. Prokuroria evidenton se burgu i Peqinit nuk ka njoftuar policinë në lidhje me ngjarjen e rëndë, pasi drejtoria e Elbasanit ka marrë dijeni vetëm pasi është lajmëruar nga burimet e saj të informacionit.

SHKARKO APP