Siguri në Shqipëri? Pesë të vrarë në dy ditë
Pas afro 50 ditëve në izolim nga Covid-19, në Shqipëri krimi është rritur frikshëm. 5 vrasje në dy ditë. Që nga e hëna deri në këtë të mërkurë, janë regjistruar ekzekutime të frikshme që vënë në pikëpyetje rendin dhe sigurinë në vend. Vrasja e dyfishtë në Lezhë, ekzekutimi i vëllezërve në Durrës dhe ngjarja e sotme në Vlorë, tregojnë se krimi është rritur frikshëm.
Një sherr që dyshohet se nisi për kamerat e sigurisë përfundoi me vdekjen e një 60-vjeçari në Vlorë. Ngjarja ndodhi rreth orës 10:00, në lagjen “11 janari”, ku Bujar Mehmetaj u qëllua me sende të forta nga fqinji i tij, i cili është shpallur në kërkim nga policia. 60-vjeçari ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra, ndërsa edhe e marta nuk ishte një ditë e qetë.
Pasdite në Shkodër, një 50-vjeçar u plagos po për motive pronësie sipas policisë, ndërsa në mbrëmje në Skrapar u desh ndërhyrja e forcave speciale RENEA. 57-vjeçari që qëlloi me armë në ajër e më pas në drejtim të policisë, u prangos pas mesnatës. Të martën mbrëma edhe një punonjës i Burgut të Peqinit, u plagos nga një plumb që u qëllua në ajër në një fshat aty pranë.
Autori u arrestua pak minuta pas ngjarjes ndërsa të hënën pas qetësisë së karantinës, vendi u trondit nga dy vrasje të dyfishta. Policia vijon hetimet për ekzekutimin e vëllezërve Haxhia në Durrës ndërsa në Lezhë autori i vrasjes së rapsodit Kolë Murrani dhe Preng Simonit për motive pronësie u vu në pranga.