Siguria, efikasiteti dhe efektet anësore/Mësoni të vërtetat për vaksinën nga AstraZeneca

Rumania, Bullgaria, Danimarka, Austria, Italia dhe Norvegjia kanë pezulluar vaksinën anti-covid nga AstraZenca, por në Shqipëri mbërritën 38 mijë e 400 doza, kjo për të nisur të shtunën me vaksinimin e mësuesve. Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë pranë ISHP-së, Silva Bino e cila po merret në mënyrë direkte me procesin e vaksinimit në Shqipëri, thotë se vaksina që mbërrin në vendin tonë vjen nga Suedia dhe nuk ka lidhje me vendet e tjera.

Ilaçi që mbron njerëzit nga Covid-19, i zhvilluar nga shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit në bashkëpunim me AstraZeneca, është rekomanduar për përdorim nga OBSH-ja, Agjencia Europiane e Barnave dhe shumë rregullatorë të shteteve të tjera të botës. Ajo që dimë zyrtarisht për vaksinën e zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit dhe AstraZeneca është që ka një efikasitet 76 për qind kundër versionit fillestar të koronavirusit pas dozës së parë. Ndërsa pas të dytës, efektshmëria rritet në 82 për qind. Vaksina zvogëlon ngarkesën virale, duke ngadalësuar transmetimin e virusit.

Ajo përbëhet nga një version i dobësuar i virusit të zakonshëm të ftohjes i marrë nga shimpanzetë. Pasi injektohet, i mëson sistemit imunitar të trupit se si të luftojë virusin e vërtetë dhe e nxit të prodhojë antitrupa. AstraZeneca ka konfirmuar se dozat mund të ruhen dhe transportohen në temperatura normale të ftohjes, nga 2 deri në 8 gradë celcius për 6 muaj.

Kompania britaniko-suedeze pretendon se nuk do të marrë fitim për shitjen e vaksinës, teksa u njoftua se çmimi për dozë është 2 deri në 3 dollarë. OBSH-ja ka rekomanduar përdorimin e saj edhe nëse variante të ndryshme janë të pranishme në një vend. Por është raportuar një rënie në efikasitet kur përballet me mutacionin afrikan të Covid-19.

Sa i përket efekteve anësore, nuk është raportuar ndonjë serioze. Gjatë testeve klinike, më të zakonshmet ishin: lodhje, temperaturë e lartë, dhimbje muskujsh, irritim lëkure, diarre dhe përzierje. Britania e Madhe ishte shteti i parë në botë që e autorizoi për përdorim vaksinën e AstraZeneca, ndërsa u pasua nga drita jeshile e marrë nga Agjencia Europian e Barnave dhe rregullatorë të tjerë të rëndësishëm.

SHKARKO APP