Silva Caka: Fadil, para se të flasësh për Kushtetutën, fol për dështimet e tua
Nga Silva Caka*
Fadil Nasufi ka marrë përsipër të bëjë juristin, madje një shkallë më lart, konstitucionalistin, e të na tregojë se Presidenti i Republikës, paska shkelur Kushtetutën, duke mos dekretuar propozimin e Kryeministrit, për të bërë Sandër Lleshi/aj-n Ministër të Brendshëm. Madje gjykimin e tij prej profesionisti, Fadili e bazon në fjalën e shenjtë të Kryeministrit të tij quasi-piktor, i cili kohët e fundit po luan edhe rolin e Gjykatës Kushtetuese, duke na treguar se kush po e shkel Kushtetutën dhe kush jo!
Fadil, përpara se të japësh mend (që faktikisht nuk i ke) për ligjet, Kushtetutën dhe veprimtarinë e institucioneve kushtetuese, bën mirë të bësh një bilanc me veten dhe produktin e aktivitetit tënd politik, që nga koha kur u zgjodhe Kryetar i Bashkisë së Beratit.
A ke moral të flasësh ti Fadil, kur në 12 vite që ti drejtove Bashkinë e Beratit, vure në alarm UNESCO-n me nivelin stratosferik të ndërtimeve pa leje, të cilat rrezikonin trashëgiminë historike të Beratit?!
A ke moral të flasësh, kur nuk ka kaluar ende 1 vit e gjysëm nga akuzat për 3 vepra penale të kryera nga ty, konkretisht “Për përvetësim të titullit apo detyrës shtetërore”, për “Korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe për “Përdorim të funksionit publik për veprimtari publike ose zgjedhore”?! U kape gafil me zë e figurë, me çertifikata pronësie, që i shpërndaje në këmbim të votave.
A ke moral të flasësh, kur u kape po prapë gafil me zë e figurë teksa lëshoje 10 mijë lekësha në tabaka, po prapë në këmbim të votave?!
A ke moral të flasësh, kur ke një vit i zgjedhur në funksionin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë dhe nuk ke trajtuar asnjë shqetësim të Qarkut të Beratit, apo të bashkisë që drejtove për 12 vite?!
Në 12 vite si Kryetar i Bashkisë së Beratit, një bashki me potencial të jashtëzakonshëm, ti nuk mbahesh mend për asgjë të mirë; ti nuk shtrove një rrugë, ti nuk rregullove asnjë ujësjellës, asnjë shkollë, kopësht, çerdhe, nuk leve minimalisht as një fasadë që të dukeshe se po punoje… ti nuk ndërrove një llampë të djegur në rrugët e Beratit! Vegjetove për 12 vite rresht!
E jo vetëm kaq: ti do mbahesh mend si ai Kryetar bashkie, që jo vetëm nuk beri asnjë investim për Beratin, por e la qytetin e Bashkinë me një mal me borxhe (vetëm Stadiumi krijoi një borxh prej 250 milionë lekësh!!!).
Ti nuk bere asnjë investim Fadil! Se ku shkuan paratë për investime, që merrje nga qeveritë e majta e të djathta, një Zot e di!? Se ku shkonin të ardhurat e vetë Bashkisë, që planifikoheshin për investime, një Zot e di… ose më mirë se Zoti, e dinë ata që të vodhën shtëpinë e që nuk i denoncove kurrë!
E pasi t’a kesh bërë këtë llogari me veten, në fund merr një konsideratë një këshillë për ty dhe gjithë kolegët e tu socialistë që keni rënë pre e vjedhjeve kohët e fundit: merrni shembull nga kreu juaj; ndërtojini shtëpitë sa më larg qendrave të banuara, mbytini në beton e mos bëni asnjë dritare e çati, se kështu nuk ju vijnë kolegët tuaj “hajdutë” e t’ju marrin atë që keni përfituar pa të drejtë!
*Deputete e Lëvizjes Socialiste për Integrim
KOHA JONË SONDAZH

