Simboli kombëtar shqiptar qëllohet me armë zjarri
Një shqiponjë është qëlluar në Berat, dhe dyshohet se është bërë qëllimisht për t’u kapur dhe përdorur si mjet tregtie. Sipas Erald Xekës, nga shoqata e ornitologjisë e Shqipërisë është e qartë që ky veprim është i qëllimshëm.
“Rasti është raportuar nga administrata e zonave të mbrojtura të Beratit. U dërgua në qendrën e rehabilitimit të parkut Divjakë-Karavasta“. Ai tregon se nga grafia duken 13-14 saçme në trup që tregon se është qëlluar me armë gjahu.
Për sa i përket gjendjes shëndetësore të shqiponjës dhe sa mundësi ka të shërohet thotë: “Është shpend i madh por varet si do të reagojë, duhet të rrijë në qetësi. Është e vështirë me shpendët, kur kanë fraktura të kockës“. Xeka akuzon bizneset private se i vrasin për t’i balsamosur. “I shesin 100 mijë lekë të vjetra, është e turpshme“.