Simoni: “Kjo është vjeshta e ankthit për drejtësinë”

 

 

Kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda Sandër Simoni e pranon se vjeshta e këtij viti është “vjeshta e ankthit për drejtësinë”.
Në kohën kur Komisioni i Venecias ka në dorë draftin për reformën në drejtësi, në një intervistë për gazetarin Roland Qafoku në “Debati në Channel One” Simoni thotë se në masën e përgjithshme të gjyqtarëve ka një situatë të ethshme e pasiguri për atë çfarë mund të ndodhë.
Gjatë intervistës shpreh shqetësimin për mos përfshirjen e shkollës së magjistraturës si një nga kushtet për të qenë gjyqtarët. 
“Na shqetësoi fakti që evidentohej fillimisht që shkolla e magjistraturës ka qenë një arritje dhe histori suksesi, ndërkohë që tani nuk përfshihet në kushtet për të qenë gjyqtarë. Kjo i jep mundësi kategorive të tjera jashtë profesionistëve të kësaj shkolle”
Ai flet dhe për ngritjen e dy strukturave, Këshilli Gjyqësor dhe një Tribunal për Drejtësinë si dhe ka një porosi për “Komisionin e Venecias”: Të mos jetë vetëm antikorrupsioni fokus i reformës në drejtësi.

 

• Intervista e Plotë

Gazetari Roland Qafoku: Përshëndetje Zoti Simoni. Është kënaqësi që ju kam në emisionin “Debati në Channel One” që unë drejtoj. Stina e vjeshtës sipas kryeministrit Edi Rama do të shënonte kulmin e reformës më të madhe në drejtësi dhe sidomos në gjyqësor. A ishit ju dakord që drejtësia shqiptare të kalonte në një reformë të thellë?

Sandër Simoni: Sigurisht që ne nuk mund t’i kundërvihemi idesë së një reformimi të thellë në gjyqësor apo në sistemin e drejtësisë sepse ne jemi pjesë e këtij sistemi dhe jemi më tepër të interesuar që ky sistem në tërësi të jetë më efikas dhe gjyqësori të jetë një pushtet i pavarur siç i  takon të jetë. Për këtë arsye ne kemi qenë përkrahës të kësaj reforme për të bërë më të mirën dhe atë që duhet. Pra, të kemi një gjyqësor efiçent, të pavarur, professional dhe të ndershëm dhe në përpjekje për të hequr idenë e një sistemi drejtësie të korruptuar. Për këtë shkak është një vullnet legjislativ i proklamuar i mbështetur nga faktorët ndërkombëtarë të cilin ne e kemi përkrahur.

Megjithatë diskutimet kanë vluar tashmë dhe jemi në pikun e tyre. Mirëpo, ajo që kemi perceptim ne njerëzit e medias është se pavarësisht se diskutimet janë të zjarrta dhe të forta njerëzit e gjyqësorit nuk janë pjesë e diskutimeve publike. Si ka mundësi që gjykatësit e nderuar me emër dhe me vlerësim nuk i shikojmë në media të thonë fjalët e tyre se çfarë po ndodh me ndryshimet e mëdha në projektligjin për drejtësinë dhe rrezikojmë që t’i mësojmë në momentin kur të miratohen në sallën e parlamentit.

Edhe unë e kam shprehur këtë shqetësim dhe ka të bëjë me mënyrën si është konceptuar kjo reformë. Kjo reformë u përqëndrua në parlament nëpërmjet Komisionit të Posaçëm për Reformën e Sistemit të Drejtësisë dhe si grup pune u përcaktua një grup i nivelit të ekpsertëve të lartë, i cili në shumicën e tij përbëhej nga persona të cilët ishin të profilit akademik kryesisht kishte avokatë, prokurorë, por më pak edhe gjyqtarë.

Sa gjyqtarë kanë qenë?

Kanë qenë 2 gjyqtarë të gjykatës së lartë. Është e vërtetë që ne jemi ftuar në tryeza teknike, të cilat kanë pasur në fokus diskutimi paketa të ndryshme ligjore, por më tepër në çështje të cilat evidentonin të metat e sistemit ligjor, kryesisht në atë të sistemit të së drejtës penale. Ndërsa më vonë ne mësuam që me prezantimin e paketës kushtetuese fokusi kishin qenë ndryshimet drastike kushtetuese.

A është normale sipas mendimit tuaj që dy gjyqtarë përfaqësojnë gjithë Gjykatat e shtetit shqiptar?

Personalisht unë dhe kolegët e mi, këtë e quajmë jo normale meqenëse fokusi kryesor lidhet me ndryshimet në pushtetin gjyqësor dhe fokusi kryesor ka të bëjë me gjetjen e instrumenteve kushtetuese për të luftuar korrupsionin në drejtësi dhe kryesisht në gjykata. Do të kishte qenë më mirë që gjykatësit të kishin qenë partnerë e të kishte pjesëmarrje më masive. Kjo ka dhe një faktor tjetër, i cili ka ndikuar. Gjyqtarët janë njerëz të zënë me procese gjyqësore dhe janë persona që nuk angazhohen për shkak të një klime paragjykuese. Ka një lloj histerie në opinionin publik shqiptar, icili nuk bën diferencën në kategorinë e gjyqtarëve, por edhe politika duket sikur ka një kompromis të heshtur për të etiketuar në tërësi sistemin e drejtësisë dhe atë gjyqësor në veçanti.

Sipas perceptimit tuaj, gjykatat janë nën presionin e reformës që pritet të ndodhë apo nën presion politik?

Është ë vërtetë që gjyqtarët e ndiejnë presionin e asaj se çfarë mund të ndodhë me procesin e reformës, për shkak se procesi i ndryshimeve kushtetuese po mundohet të përfshijë të gjithë masën e gjyqtarëve, i shtrirë dhe në prokurori. Por në fokus duket sikur është gjyqësori. Kjo ndodh sepse gjyqtarët janë ata që etiketohen dhe përmenden për vetë faktin që gjyqësori është një pushtet më vete. Ky është presioni më i madh se sa ai politik në tërësi, sepse gjyqësori ka instrumente juridik-kushtetues për të qenë i pavarur, sigurisht nëse ne kemi forcë dhe vitalitet brenda vetë nesh që ta trajtojmë pavarësinë ashtu si e ka përcaktuar kushtetuta.

3 janë pikat më të diskutueshme që pritet të bëhen. E para lidhet me magjistraturën: Një gjyqtar jo domosdoshmërisht duhet të ketë mbaruar shkollën e magjistraturës, më parë ky ka qenë një kondicion shumë i fortë. E dyta: Lufta kundër korrupsionit ëhstë parësore dhe e treta: të gjithë gjyqtarët kalojnë një konkurs, pavarësisht se kanë një karrierë. Si i komentoni ju të treja këto ndryshime?

Paketa e ndryshimeve kushtetuese shkonte pak më tej atyre që ishin diskutuar gjatë tryezave të rrumbullakëta, punimeve të Komisionit, apo diskutimeve të ekspertëve të lartë për evidentimin e pikave të dobëta në sistemin e drejtësisë dhe atë gjyqësor në veçanti. Ne na shqetësoi fakti që evidentohej fillimisht që shkolla e magjistraturës ka qenë një arritje dhe histori suksesi, ndërkohë që tani nuk përfshihet në kushtet për të qenë gjyqtarë. Kjo i jep mundësi kategorive të tjera jashtë profesionistëve të kësaj shkolle.

Çfarë rrezikon kjo?

Kjo rrezikon atë që siguronte Shkolla e Magjistraturës, një nga elementet e pavarsisë, atë të emërimit dhe politizimin e masës së gjyqtarëve që mund të përfshihen në gjyqësor në vijim.

A është vërtet apo jo korrupsioni është fenomeni më shqetësues i shoqërisë, kjo është kompetencë e organeve të tjera. Në këndvështrimin tim si jurist, une kam merakun dhe frikën nëse fokusimi vetëm për të luftuar korrupsionin do të pengojë luftën ndaj krimit të organizuar, trafikut, pastrimit të parave etj. gjithashtu krijimi i strukturave antikorrupsion është një risi, por nuk merr parasysh faktin që ne tashmë kemi krijuar një traditë të kohëve të fundit që korrupsioni është konsideruar krim i rëndë, duke u vënë në të njëjtën rëndësi me krimin e organizuar dhe trafiqet. Për këtë arsye mendimi ynë ka qenë që nuk ka pse të evidentohen struktura kushtetuese antikorrupsion pasi këto do të anashkalojnë organizimin aktual organik të gjyqësorit dhe duket sikur nuk marrin parasysh ekzistencën e organizimit gjyqëosr në Shqipëri dhe konkretisht krijimin e një gjykate të specializuar

Ju nuk mund të bëheni asnjëherë anëtar i Bashkimit Europian në qoftë se nuk bëni një reformë të thellë, nëse nuk vihen gjykatat në nivel profesional dhe nëse nuk luftojmë korrupsionin. Si e komentoni ju këtë?

Dua të them se opinionet e ndërkombëtarëve ne duhet t’i përkthejmë dhe t’i zbatojmë duke gjetur instrumente në mënyrë të tillë që të bëhet lufta ndaj korrupsionit, por edhe të respektohet dinjiteti i kujtdo që ka bërë atë që duhet.

Por, si bëhet ndarja mes gjyqatrëve profesionistë dhe atyre që janë të korruptuar?

Nuk është detyrimi apo dëshira jonë që të bëjmë dallime apo të evidentohemi me emër. Ky është detyrimi i institucioneve përkatëse. Unë dua që në pozitën si gjykatës të ndihem i qetë e jo i frustruar as në presion të opinionit apo faktorit politik.

A jeni ju nën presion politik?

Ne nuk ndiejmë presion politik, por nën presionin e etiketimit të përgjithshëm si pjesë e një sistemi drejtësie të korruptuar dhe të mos diferencimit dhe të mos vlerësimit për atë çfarë kemi bërë.

Një nga temat që po diskutohet është edhe ngritja e një Komisioni i cili do të verifikojë gjykatat, sidomos Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese. Po këtë komision kush do ta kontrollojë?

Sigurisht që në këtë aspekt do të gjendet një instrument i balancuar kushtetues që të garantojë parimin “Check and Balance”, parimin e ndarjes së pushteteve. Do të jetë një kategori personalitetesh që do të sigurojnë të ashtuquajturën pavarësi, nuk është një komision, por një organizatë kuazi gjyqësore e përbërë nga rreth 9 anëtarë. Do të ketë dy struktura, Këshilli Gjyqësor dhe një Tribunal për Drejtësinë. Ky ëhstë një aspekt kushtetues, për të cilin pritet dhënia e vlerësimit nga Komisioni i Venecias.

Sa rrezikohet që kjo reformë të politizohet?

Këtë nuk mund ta them dhe nuk kam ndonjë opinion, pasi kjo është një çështje në vijim. Ajo që është proklamuar gjatë gjithë kësaj kohe është që kjo reformë nuk synon politizimin, por evidentimin e elementeve profesionistë. Në qoftëse ky është qëllimi në vetvete duhet pasur parasysh përzgjedhja e personave më tej.

Një nga gjykatësit e njohur në Shqipëri Zoti Broci ka thënë që politika kërkon të na marrë pushtetin. Si e komentoni këtë shprehje?

Gjyqësori është një nga pushtetet e këtij shteti dhe si i tillë pushteti nuk është i joni. Ne jemi pjesë e tij për t’i shërbyer atij. E rëndësishme për ne është që në ushtrimin e detyrës të ndihemi të pavarur dhe për këtë garancia e vetme janë përcaktimet kushtetuese.

Duke perifrazuar dy shkrimtarët Ismail Kadare dhe Bashkim Shehu: A është kjo “vjeshta e ankthit” për drejtësinë?

Në njëfarë mënyre, po. Edhe për vetë pritshmëritë dhe për procesin e ecjes me shpejtësi për diskutimet në ecjen e reformës dhe në idenë e kërkimit të opinioneve në Komisionin e Venecias në një afat sa më të shkurtër. Në masën e përgjithshme të gjyqtarëve ka një situatë të ethshme e pasiguri për atë çfarë mund të ndodhë.

Pas disa ditësh Komisioni i Venecias do të thotë fjalën e tij mbi bazën e  atyre çfarë do të dëgjojë nga të gjitha palët. Keni për t’i thënë ju diçka të veçantë anëtarëve të Komisionit?

Komisioni i Venecias duhet të ketë parasysh që fenomeni i korrupsionit nuk është një fenomen masiv dhe politikisht në gjithë këto vite është evidentuar dhe është bërë një fenomen metaforik dhe gjyqësori është një sistem funksional. Në Shqipëri ka mbi 6000 të arrestuar me vendime gjykatëe dhe ka gjyqtarë me integritet dhe të mos jetë vetëm antikorrupsioni fokus i reformës në drejtësi.

SHKARKO APP