Sistemi i ri i fiskalizimit, përfundon faza e konsultimeve

Faza e konsultimeve për sistemin e ri të fiskalizimit, i cili pritet të nis zbatimin nga 1 janari 2020 ka përfunduar, ndërsa të gjitha propozimet teknike po shqyrtohen nga ministria e Financave dhe Ekonomisë. Ligji që propozohet dhe ndryshimet që ai sjell, nuk prodhojnë asnjë ndryshim në skemën aktuale të taksave. Për të gjithë tatimpaguesit që deklarojnë dhe paguajnë këto detyrime, nuk ka asnjë ndryshim në peshën e detyrimeve të tyre.

Fiskalizimi ka në fokus ata që nuk deklarojnë dhe nuk paguajnë detyrimet e tyre në përputhje me ligjin. Me këtë proces të ri të raportimit financiar, ne sigurojmë një kontroll më të mirë dhe inspektim më efikas tatimor, ndërsa i jepet mundësia çdo qytetari, që të verifikojë nëse taksat që ai paguan për mallrat dhe shërbimet, deklarohen në sistemin tatimor. Për tatimpaguesit e rregullt ky projekt nuk sjell asnjë ndryshim thelbësor. Ata do të duhet të modernizojnë formatin e tyre të raportimit me një teknologji të re por pa afekt në veprimtarinë e tyre të biznesit dhe shumë pak, ose aspak efekt financiar.

Nga 1 janari 2020, të gjithë transaksionet midis bizneseve dhe konsumatorit (B2C), do të raportohen te Administrata Tatimore në kohë reale bazuar në një sistem të ri pajisjesh fiskale, ndërsa nga 1 Janari 2021, për të gjithë transaksionet ndërmjet biznesit me njëri- tjetrin dhe ndërmjet biznesit dhe organeve publike (B2G) do të bëhen në bazë të faturës elektronike. /ATA/

SHKARKO APP